Pandemia e koronavirusti ka detyruar shumë shtete në botë, sidomos në Europë që të mbyllin kufijtë për hyrje-daljet e shtetasve nga vendet e tjera, ose të vendosin masa të ashpra sigurie që parashikojnë edhe karantinimin e shtetasve që futen në territor.
Një prej këtyre shteteve europiane me masa rigoroze është edhe Zvicra, e cila edhe pse është përpjekur të mbajë të mbyllur kufijtë, nuk ka mundur që të frenojë dot përhapjen e virusit.
Sipas të dhënave të fundit nga OBSH-ja, numri i infeksioneve me koronavirus në Zvicër po rritet gjithnjë më shumë.
Për këtë arsye, caktimi i karantinës nga ana e Zvicrës, për shtete të caktuara, mund të bjerë së shpejti, shkruan portali zviceran “blick.ch”.
Siç dihet, kushdo që hyn në Zvicër dhe ka ardhur nga një zonë e rrezikshme për koronavirus, duhet të qëndrojë në karantinë për dhjetë ditë. Kjo aktualisht vlen për rreth 60 shtete dhe zona të ndryshme të botës.
Azhurnimin e radhës të listës së karantinës (Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG) pritet ta bëjë më 16 tetor.
Ndonëse të gjitha shtetet për të cilat mund të pritet lirimi nga detyrimi i karantinës, aktualisht kanë më shumë se 60 infeksione për 100,000 banorë, por trendi në ato shtete po shkon qartë drejt përmirësimit.
Kështu, në bazë të shifrave të OBSH-së, gazeta zvicerane ka bërë vlerësimin se cilat vende mund të dalin jashtë listës së rrezikut.
Ato janë: Kroacia me 66 raste në 100 mijë banorë, Shqipëria me 65 dhe Monako, me 62 raste në 100 mijë banorë.
Siç dihet, Shqipëria për një kohë të gjatë ka qenë, si i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor jashtë listës “së zezë” të Zvicrës, ndërsa është futur aty nga fundi i gushtit.
Në shumë vende tjera, nga ana tjetër, situata e koronavirusit po përkeqësohet, dhe në disa raste, ato e kanë kaluar tashmë shumë pragun 60, që nënkupton se pritet të futen në listën e rrezikut, në riaktualizimin e parë që do t`i bëhet asaj.
Ndër këto shtete janë: Gjeorgjia (125) Sllovakia (118), Rusia (80).
Zvicra aktualisht po përjeton një numër në rritje të infeksioneve. Prandaj është shumë e mundshme që Zvicra së shpejti, të gjendet për herë e më shumë në listat e karantinës së vendeve të tjera.
Diskutime rreth kësaj post