Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj duket se nuk do të jetë i vetmi zyrtar i lartë që do të përfundojnë në burg për shkak se është përfshirë në megaaferën korruptive dhe kriminale të inceneratorëve. Të paktën i këtij mendimi është juristi i njohur, Kreshnik Spahiu, i cili gjatë një interviste për mediat, paralajmëroi të tjera arrestime “VIP” në Shqipëri. Po ashtu, analisti i njohur Spahiu teksa zbulon prapaskenat e arratisjes së Arben Ahmetajt, tregoi edhe për një mesazh të koduar që i dha kryeministri Edi Rama vartësit të tij. “Ahmetaj është kurbani i radhës i Ramës. Nuk mendoj se ka pasur diçka personale, sepse Ahmetaj është një ndër më të promovuar nga Rama, thyerja e besimit është bërë para se të vij masa e arrestit. Ahmetaj e kërcënoi Ramën që tha bëjë mirë kryeministrin dhe mos u fut tek puna e gjykatësit, dhe tradhtitë vijnë aty ku ke pasur besim më shumë dhe thyerjet e besimit janë më të forta. Pastaj çështja e inceneratorëve është shtrirë në 3 bashki dhe që janë përfshirë edhe njerëz të të gjitha niveleve. Sot sheshet e vendit duhet të mbusheshin plot me protesta. Edhe Enver Hoxhës i dilnin grupe armiqësore dhe pushkatoheshin, por që pushteti forcohej sepse nuk kishte opozitë, dhe ne sot jemi në një regjim që e ka blerë opozitën dhe e ka copëtuar e luan me të si të dojë. Edi Rama luan me opozitën. Ky pushtet thotë po mbaj suksesin sepse po i hap rrugë drejtësisë, ai e sheh si sukses”, deklaroi ai.
Ja sa vite burg rrezikon Ahmetaj
Më tej juristi i njohur, Kreshnik Spahiu ka treguar edhe se çfarë e pret ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetajn, sikundër është burgosja me 12 vite. Madje zoti Spahiu zbuloi edhe se kur e kuptoi se SPAK do e çonte pas hekurave ish-zv/kryeministrin Ahmetajn. “Ata do bëjnë burg aq sa parashikon ligji, Tahiri shkoi për një vepër më të lehtë sesa 3 veprat që akuzohet sot Ahmetaj që arrin deri në 12 vite heqje lirie. Ahmetaj ishte përgatitur për të ikur, ai e kuptoi që do të arrestohej kur u thirr në prokurori dhe u ballafaqua me prova, përfshirë edhe letërporosit që kishin ardhur nga hotelet e Milanos që provonin se qëndrimi atje ishte paguar nëpërmjet Klodian Zotos, ai e kuptoi nga këto që do të arrestohej dhe ka qenë në survejim. Një nga arsyet që SPAK ka argumentuar që kërkon arrestin është se ka pasur informacion dhe indicie që mund t’i shmanget hetimit. PS ka përgjegjësi politike, sepse Ahmetaj nuk është rastësor, por ka qenë eksponentët politik i Nanos, i Metës dhe i Ramës. Kur numri 2 vihet në një akuzë kaq të rëndë përgjegjësia politike e PS nuk është si në rastin e Alqi Bllakos dhe as si në rastin e Lefter Kokës”, u shpreh ai.
Paralelja mes rastit “Ahmetaj” dhe “Meta”
Nga ana tjetër, juristi Kreshnik Spahiu ka hequr edhe një paralele mes kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj dhe rastit të Ilir Metës, kur u kap me “presh në duar”. Bëhet fjalë për videon e famshme me Dritan Priftin. Ilir Meta u kap me zë dhe figurë duke kërkuar para, por në atë kohë Prokuroria e Përgjithshme nuk kërkoi masë arresti për të. Ai u gjykua në gjendje të lirë, pavarësisht se u zhvesh nga imuniteti. Ndërkohë sipas Spahiut, me rastin e Ahmetajt situata është shumë ndryshe. Sipas tij, kërkesa për arrest është shumë ekstreme. “Nëse sot do të kishim numrin dy të opozitës për masë arresti, opozita e Shqipërisë do e votonte sot? Këtu fillon debati. Shqipëria ka hetuar dhe Ilir Metën në rrethana të ndryshme juridike dhe procedurale. Nëse Meta ka qenë i garantuar në lirinë e tij në një proces penal, ky tjetri po shkon në masë arresti. Heqja e imunitetit të ish-liderëve demokratë ka qenë në kushte komode dhe të ndryshme nga kjo që po u bëhet zyrtarë të lartë të PS. Masa e arrestit është ekstreme”, nënvizoi juristi i njohur, Kreshnik Spahiu.
Diskutime rreth kësaj post