Pavarësisht se godina e Tetarit Kombëtar u rrafshua ditën e djeshme nga fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka thirrur në protestë gjithë popullin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.
Ka qenë regjisori Robert Budina, i cili njoftoi dje para mediave protestën që do të mbahet ditën e sotme, e cila do të zhvillohet në orën 16:30 para Ministrisë së Brendshme.
“Nesër në orën 16:30 aleanca për Mbrojtjen e Teatrit thërret në protestë gjithë popullin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Kjo protestë bëhet sepse gjatë natës së kaluar filluan shembjen e Teatrit ndërkohë që ne ishim brenda dhe kjo mund të vijojë në çdo shtëpi tuajën. Protesta do të bëhet përballë Ministrisë së Brendshme sepse ata tentuan të na vrasin. Ne kemi ndërprerë çdo lidhje me qeverinë shqiptare, nuk kemi ndërmend t’i kërkojmë askujt leje. Kemi lënë gjërat që kishim me vete mbrëmë, i kërkuam drejtuesit të policisë dhe nuk na lejoi. Asnjë leje nuk do të kërkojmë. Mua më kanë kapur brenda godinës, më kanë shkelur me këmbë, na ndoqën, na sollën me dhunë meqë ishte errësirë. Një zonjë e shkelën me këmbë. Kundër kësaj tentative për vrasje ne thërrasim gjithë popullin që të mos i lejojmë”, – deklaroi regjisori Budina.
Ndërkohë nga ana tjetër, aktivisti i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe regjisori Kastriot Çipi shpërtheu në akuza në adresë të kryeministrit Edi Rama, ndërsa deklaroi dje se me shembjen e Teatrit Kombëtar u instalua diktatura.
“Mendoj që është akti noterial, firma dhe vula mbi instalimin zyrtar të diktaturës në Shqipëri. Vitet e fundit kemi pasur hapa prapa, pra rrëshqitje drejt diktaturës. Përfundimisht diktatura sipas meje, diktatura ishte vendosur me 15 mars me masat e jashtëzakonshme me alibinë e koronavirusit. Kjo që ndodhi ishte rezultati i diçkaje që dihej. Ka pasur disa aktivistë brenda godinës kur filloi shembja. Nga ata që dëgjova unë ishte Neritan Liçaj dhe Julinda Emiri. As kjo nuk është për tu habitur. Rama nuk ndalet para asgjëje. Në momentin kur nuk ka rezistencë as nga ndërkombëtarët, përse duhet të shqetësohet. Vdiq dikush aksidentalisht? Ndodhi do thoshte. Ata njerëz nuk duhej të ndodheshin aty dhe nëse vdiqën nuk ishte faji im do thoshte. Unë mendoj që ai sot ka qenë i përgatitur për gjithçka, edhe për gjakderdhje, edhe për vdekje”, – deklaroi regjisori Kastriot Çipi.
Diskutime rreth kësaj post