Kejdi Spahiu, 23-vjeç do të kandidojë për primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë e Beratit.
Në një deklaratë nga seli blu 23-vjeçarja nënvizoi se tani ka ardhur koha jo vetëm e përgjigjeve boshe, por e veprave. Në fjalën e saj, ajo nuk i kurseu kritikat ndaj qeverisë.
Demokratët që kanë një kartë anëtarësimi ose ata që janë regjistruar si simpatizantë do të kenë mundësi të votojnë më 4 dhjetor për njërin mes kandidatëve. Nëse asnjëri prej tyre nuk do mund të marrë më tepër se 50% të votave, atëherë dy më të votuarit do të përballen në balotazh.
Procesi i primareve nuk mundi t’i bënte bashkë të gjithë demokratët. Dy palët dështuan në negociatat që nisën rreth 3 javë me parë, me grupin e Alibeajt që pas një mbledhje deklaroi se do të dalë me kandidatë të tjerë veçmas në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Deklarata:
Si e re shqiptare ndjej dhimbje kur e shikoj vendin tim në këtë gjendje.
Ndryshimi duhet filluar diku, nga vetja apo nga qyteti yt. Vendimin për t’u futur në primare e konsideroj si pjesë të përpjekjes për të ndryshuar gjendjen ku vendi ynë ndodhet.
Mendoj se ka ardhur koha jo vetëm e përgjigjeve boshe, por e veprave.
Prandaj vendosa të marr përsipër këtë detyrë dhe me fjalën detyrë nënkuptoj atë ndaj qytetarëve beratas. I dimë plagët e Beratit: papunësia, largimi drejt kryeqyteti e sidomos vendeve të huaja dhe lufta e përditshme për të siguruar të nesërmen për veten dhe familjen.
Unë e dua qytetin tim, këtu linda dhe u rrita dhe këtu dua të japë gjithë kontributin tim.
Problematikat në qytetin e Beratit janë të shumta duke filluar nga arsimi që është baza e zhvillimit, duke e vazhduar me lagje si Vakëfi apo 28 nëntori të cilat i përkasin një Berati të lenë 100 vite mbrapa dhe rrugët në gjendje të mjerueshme.
Shëndetësia është një tjetër shqetësim i madh: mungesa e mjekëve detyron çdo qytetar të drejtohet në spitalet private.
Dhe më kryesori, për një qytet si berati, është turizmi. E vetmja gjë e kohës sonë është pedonalja ndërsa 100 metra më larg kalon në mesjetë.
Me shpresën te fitorja dhe besimin në Zot, sot ndjej të nevojshme të kërkoj mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Beratit të ecim përpara së bashku, dhe duke bashkuar forcat ne do të jemi të pathyeshëm.”-tha ajo.
Diskutime rreth kësaj post