Ideja e një bashkëqeverisje mes PS dhe PD ka rinisur të trumbetohet ditët e fundit. Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka lëshuar dy mesazhe javën e fundit, të cilët janë interpretuar si një sinjal për afrim mes PD dhe PS. Ambasadorja nuk e deklaron diçka të tillë hapur, pro kërkon që PD e PS të kenë një frymë të re bashkëpunimi. Por cilat janë pikat ku do të nis ky bashkëpunim? Elementi kryesor ku pritet të bashkëpunohet është presidenti i ri. PS ka nisur procedurat e shkarkimit të Metës. Edhe pse fjalën e fundit do e thotë Kushtetuesja, sido që të vijnë punët, në pranverën e vitit që vjen nisin procedurat për presidentin e ri. Vetë Rama pas zgjedhjeve e tha se presidenti i ri do të zgjidhet me konsensus me PD.
“Është shumë herët për të folur për zëvendësimin e për zëvendësuesin e tij, por në çdo rast, qoftë para kohe, qoftë në kohë, në varësi se si do shkojë ky proces, ne do konsultohemi me Partinë Demokratike për emrin e presidentit të ri”, tha Rama.
Ndërkohë mësohet se bashkëpunim ose më saktë konsensus do të ketë dhe në disa vendimmarrje të Parlamentit. Këtë vit i mbaron mandati Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Sipas ligjit, shpalljen e bën presidenti, por në fund e zgjedh Parlamenti dhe sipas informacioneve PS do të kërkojë që të kemi një emër konsensual. Një tjetër vendimmarrje e Kuvendit do të jetë përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Kartë të Prokurorisë dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Anëtarët jo gjyqtarë dhe jo prokuror kanë mandat 3-vjeçar dhe në fund të vitit duhet të zëvendësohen. Emrat e rinj po ashtu do të tentohen të zgjidhen me konsensus. Një tjetër pikë ku mazhoranca kërkon konsensus është mandati i organeve të vetingu.
PS kërkon që të shtyhet afati dhe kjo kërkon ndërhyrje në Kushtetutë, që pa ndihmën e PD nuk bëhet dot. Element tjetër janë zgjedhjet vendore. Gjykata Kushtetuese ka marrë në dorë një padi për zgjedhjet e 2019 dhe nuk është çudi që të kemi ripërsëritje. Momentalisht kemi 6 bashki pa kryetarë, më konkretisht: Bashkia Shkodër, Bashkia Vorë, Bashkia Durrës, Bashkia Dibër, Bashkia Kavajë dhe Bashkia Lushnje. Presidenti nuk i njeh zgjedhjet dhe nuk nxjerr dekret për zgjedhje të parakohshme aty. Por me shkarkimin e Metës situata do të ndryshojë dhe me shumë mundësi do kemi zgjedhje të reja vendore.
Element tjetër shumë i rëndësishëm është reforma zgjedhore. OSBE/ODIHR në raportin për 25 prillin shprehu nevojën për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor dhe të dyja palët kanë treguar gatishmëri që në vjeshtë të nisin nga e para reformën zgjedhore. Pra duket se ka një sërë çështjesh që mund të bashkojnë politikën shqiptare. Pas zgjedhjeve kryeministri Rama i shtriu sërish opozitës dorën e bashkëpunimit.
“Mandati i tretë nuk duhet t’i ngjajë në asnjë mënyrë dy të parave në aspektin e marrëdhënieve me opozitën, Partinë Demokratike, sado të na sulmojnë, të na shajnë, të na provokojnë apo sado ta kontestojnë legjitimitetin e padiskutueshëm të fitores sonë nga mos gëlltitja kronike e humbjes së tyre të qartë e të thellë. Shqipëria na ka ridhënë besimin e madh e mbështetjen e plotë për të udhëhequr e ne do të udhëheqim pa humbur më kohë dhe energji me politikën bajate dhe banale të akuzave e të kundërakuzave të përditshme”, tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post