Presidenti Ilir Meta përmes një postimi në rrjetet sociale ka publikuar disa pamje rrëqethëse të 19 viteve më parë, kur rreth 20 mijë shqiptarë u nisën drejt Italisë me shpresë për të gjetur lirinë e munguar nga regjimi komunist 45-vjeçar.
Meta teksa kujton këtë ngjarje të rëndë i dërgon edhe një mesazh të koduar qeverisë aktuale. Presidenti thekson se “Fatkeqësisht edhe sot pas 29 vitesh nga kjo ngjarje dhe këto pamje tronditëse që të emocionojnë në çdo kohë, ritmet dramatike të shpopullimit të Shqipërisë nuk janë ndalur”.
Mesazhi i Metës:
“Në 8 gusht 1991 anija “Vlora”, me rreth 20 mijë shqiptarë në bord, nisi udhëtimin drejt lirisë duke u kthyer në simbolin e shpresës për një jetë të re dhe një të ardhme më të mirë.
Zbarkimi i tyre në brigjet e Italisë, dëshmoi para gjithë botës tragjedinë dhe dhimbjen e një populli të vuajtur për dekada nga dhuna, shtypja, mjerimi dhe izolimi.
Fatkeqësisht edhe sot pas 29 vitesh nga kjo ngjarje dhe këto pamje tronditëse që të emocionojnë në çdo kohë, ritmet dramatike të shpopullimit të Shqipërisë nuk janë ndalur.
Në emër të këtyre sakrificave të jashtëzakonshme njerëzore, është koha të ankorojmë shpresën në vendin tonë dhe të përmbushim ëndrrën e çdo qytetari, për një Shqipëri si gjithë Europa!
Koha që shqiptarët të rikthehen dhe të marrin në zotërim vendin dhe fatet e tyre!
Koha për ta ndërtuar Europën ketu!
Koha për t’i thënë KURRË MË çdo projekti izolues dhe shpopullues!”, ka shkruar Meta.
VIDEO:
Diskutime rreth kësaj post