kademiku dhe Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof.Dr Anastas Angjeli, u dekorua nga Presidenti Ilir Meta, me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, në vijim të propozimit të Akademisë së Shkencave.
“Pikërisht për përvojën e gjatë dhe të vyer dhe në vlerësim të kontributit të tij të spikatur akademik, shkencor, studimor e didaktik në fushat e ekonomisë dhe financave publike, dhe si veprimtar i shquar politik e publik në dobi të reformimit bashkëkohor politik dhe zbatimit të ekonomisë së tregut të lirë në Shqipëri, kam vendosur ta dekoroj me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, u shpreh Presidenti Meta, në fjalën e tij përpara dhënies së titullit.
Ai theksoi se kontributi në fushat përkatëse kanë lënë një trashëgimi të vyer për brezat e rinj dhe me shumë interes dhe dobi për ekonominë shqiptare.
Akademik, Prof.Dr Anastas Angjeli, është profesor në ekonomi, financë dhe bankë, me një kontribut të shquar në këtë fushë, veçanërisht në atë të financave publike dhe të reformave strukturore në ekonomi veçanërisht të kalimit nga një ekonomi thellësisht e centralizuar në ekonominë e tregut të lirë.
Ai u bë pjesë e profesoratit në fakultetin e ekonomisë pranë UT-së, që në vitin 1982 e më pas filloi angazhimin e tij në politikën aktive.
Ai ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në vitet 1991-2005, disa herë drejtues i komisioneve parlamentare, Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Ministër i Financave, si dhe Ministër i Punës dhe i Çështjeve Sociale.
Angjeli është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në vitin 2010.
Ai është afirmuar si një nga ekonomistët financierë më të shquar, sidomos në zbatimin e reformave të ekonomisë së tregut në Shqipëri.
Kontributi i tij për reformën buxhetore dhe fiskale, për zhvillimin e sistemit financiar, për zbatimin e politikave fiskale në dobi të zhvillimit të biznesit dhe të investimeve vendase, është vlerësuar jo vetëm nga opinioni publik, por edhe nga institucione ekonomiko-financiare ndërkombëtare.
Angjeli themeloi që prej vitit 2009, Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, një nga universitetet jo-publike më në zë dhe me një staf cilësor dhe shumë të kualifikuar.
Zoti Angjeli anëtar i Akademisë së Shkencave të Evropës prej disa vitesh dhe autor dhe bashkë autor i disa librave universitarë dhe monografive, artikujve shkencorë brenda e jashtë vendit etj.
Së fundi është zgjedhur të japë përvojën dhe kontributin e tij si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Diskutime rreth kësaj post