Kryetari i Kuvendit Ilir Meta gjatë një interviste për emisonin “Komiteti” në televizonin RTK të Kosovës, ka folur në lidhje një sërë çështjes në lidhje me aktualitetin politik në vend.
Meta ka folur në lidhje me raportet brenda mazhorancës ndërsa i ka dhënë përgjigje edhe zërave që flasin se në vitin 2017 ai do të kërkojë të zgjidhet në postin e Presidentit të Republikës.
Kryeministrin Rama nuk e keni lënë në gjumë të qetë. Vazhdimisht keni dërguar sinjale që ju e mbroni me fanatizëm partinë tuaj dhe nuk jeni me çdo kusht partner besnik nëse pala tjetër nuk e tregon të njëjtin luajalitet ndaj jush…
Ne i qëndrojmë parimeve të marrëveshjes dhe për ne qëndrime fanatike apo vija të kuqe janë: stabiliteti i Shqipërisë; Shqipëria si faktor stabiliteti në rajon, sepse as e para nuk mund të funksionojë pa të dytën dhe janë shumë të ndërlidhura; integrimi evropian i Shqipërisë. Nuk ka asnjë iniciativë apo reformë që i shërben kësaj çështjeje që LSI-ja të mos jetë promotore apo mbështetëse e padiskutueshme. Që kur është krijuar LSI, në vitin 2004, nuk ka qenë asnjëherë një pengesë apo një vonesë për një çështje për raportet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, apo marrëdhëniet tona me NATO-n e kështu me radhë. Natyrisht që ka shumë çështje të tjera, shumë nprioritete të tjera por kuptohet që në koalicion duhet të jesh edhe fleksibël.
Vitin e ardhshëm do të zgjidhet Presidenti i ri i Shqipërisë. Është spekuluar këto kohët e fundit për mundësinë që ju të jeni një kandidat i koalicionit për President të Shqipërisë?
Kjo është një çështje për momentin, jo vetëm e parëndësishme, sepse në politikë rëndësia përcaktohet nga prioriteti dhe nuk është aspak prioritet. Kjo do të jetë prioritet në prill ose maj kur do të ketë kohë e saj. Aktualisht ne kemi një President, z. Nishani, i cili kryen këtë detyrë. Natyrisht nuk janë zgjedhje presidenciale, sepse Shqipëria nuk është një vend presidencial. Është zgjedhja e Presidentit nga Parlamenti. Sa i takon spekulimeve, do të ketë shumë. Do të dalin me dhjetëra apo me qindra emra, siç është traditë sa më shumë afrohet kjo periudhë. Kjo është gjë e zakonshme. Unë mund t’ju siguroj se jam kandidat i sigurt për kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, sepse do të kemi zgjedhjet brenda vjeshtës në LSI, sipas statutit të LSI-së. Për këtë gjë ju siguroj.
Po flitet për një mundësi që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen në mars ose në prill të vitit të ardhshëm, pra para zgjedhjes së Presidentit.
Nuk mendoj se Shqipëria ka ndonjë arsye për të mbajtur zgjedhje të parakohshme.
Presidentin e ardhshëm a duhet ta zgjedhë ky parlament apo parlamenti tjetër?
Kjo është çështje kalkulimesh, të cilët më shumë se kushdo tjetër mund t’i bëjnë juristët, por nuk mendoj se kjo është kaq shumë e rëndësishme.
A besoni se në zgjedhjet e ardhshme do të jeni prapë në koalicion me të njëjtin partner të koalicionit apo LSI do të shkojë e vetme dhe pastaj do të vendosë më kë do të bëjë koalicion, si përcaktuese tashmë historike e qeverive?
Unë jam kryetar i LSI-së, por nuk jam LSI-ja. Që do të thotë që LSI-ja është më e gjerë se sa kryetari i saj dhe unë nuk mund të marr vendim në emër të saj. LSI ka marrë një vendim për këtë koalicion dhe do t’i qëndrojë koalicionit sikurse i ka qëndruar me korrektësi deri më tani. Ky është një koalicion që ka bërë punë të mira, ka ndërmarrë reforma të rëndësishme por ka ende shumë punë për të bërë, ka ende shumë përmirësime për të bërë. Vendi ka probleme të mëdha dhe pafund. Dhe në këtë drejtim ne jemi të përqendruar në përmirësimin e mëtejshëm të qeverisjes. Për sa i takon vendimeve që do të merren për të ardhmen, thashë edhe një herë, që këto do të gjykohen nga vetë strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe natyrisht që do të diskutohen apo komentohen edhe nga analistët.
Diskutime rreth kësaj post