Zhvillimi i vrullshëm urban e shpesh kaotik ka reduktuar ndjeshëm sipërfaqet e gjelbra në qytetin bregdetar të Durrësit, duke e kthyer atë gjithnjë e më shumë në një ishull të nxehtë urban.
Aty ku me parë kishte pemë karakteristike mesdhetare, tipike për vendin tonë, janë mbjellë palma, ndërsa projektet për rehabilitimin e shesheve dhe trotuareve në lagjet 1, 2, 3 dhe 4 të qytetit kanë çuar në prerjen e shumë pemëve, po dhe lulishteve të pakta në Durrës.
Në Bashkinë e Durrësit thonë se këto pemë do të zëvendësohen me pemë bliri, po ndërkohë situata e gjelbërimit në Durrës mbetet kritike. Durrësi është një nga qytetet me dendësinë më të ulët të gjelbërimit në vend e rajon, duke i bërë më të ndjeshme temperaturat e larta dhe ndotjen e ajrit nga automjetet dhe punimet në rrugë.
Mbjellja e pemëve dhe krijimi i një parku të gjelbër është kthyer në domosdoshmëri për qytetin bregdetar, banorët e vizitorët e shumtë të tij. Problemi është global, ndaj specialistët mjedisorë synojnë të nxisin qytetet e bashkitë që të rrisin dendësinë e gjelbërimit për të ulur pasojat e temperaturave ekstreme dhe ndotjes së ajrit në shëndetin dhe jetët e qytetarëve.
Diskutime rreth kësaj post