Ministri i Turizmit Blendi Klosi ka dalë sot me një njoftim të rëndësishëm për të gjithë ata që i kanë prenotuar pushimet përpara fatkeqësisë natyrore të koronavirusit.
Përmes një postimi në Twitter, Klosi shkruan se prenotimet duhet të përmbushen nga agjencitë, apo operatorët turistikë brenda një viti nga dita e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
“Miratuam në Këshillin e Ministrave aktin normativ sipas të cilit pushimet e prenotuara përpara gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duhet të përmbushen nga agjencitë, apo operatorët turistikë brenda një viti nga dita e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, – shkruan Klosi.
Pra, operatorët turistikë apo agjencitë e udhëtimit, brenda 30 ditësh nga komunikimi, të rimbursojnë dokumentin e udhëtimit dhe/ose paketën e udhëtimit nëpërmjet lëshimit të një kuponi, që korrespondon me të njëjtën vlerë/shumë totale që duhet të kthehet, duke i ofruar klientit mundësinë e përdorimit të kuponit për të njëjtin shërbim ose një të ngjashëm, që i përket kontratës së ndërprerë, e cila do të përdoret brenda 1 viti.
Në rast se nuk realizohet shërbimi, sipas parashikimeve të mësipërme, operatorët turistikë apo/ose agjencitë e udhëtimit t’i rimbursojnë klientit vlerën/shumë totale të paguar.
Operatorët turistikë apo agjencitë e udhëtimit, të cilët nuk e zbatojnë këtë akt normativ, përveç përmbushjes së detyrimeve kontraktuale ndaj klientit, dënohen me gjobë, për çdo kontratë të parealizuar.
Diskutime rreth kësaj post