Prezantohej si punonjës i bashkisë apo Ministrisë së Brendshme dhe duke u premtuar njerëzve kredi me norma të buta interesi u zhvaste atyre shuma të konsiderueshme parash.
Në këtë mënyrë e kishte organizuar skemën e mashtrimit Elton Tozaj, i cili rrezikon një dënim deri në 8 vjet burg për mashtrime ndaj disa personave dhe falsifikim dokumentesh.
Sipas prokurorisë, në të paktën tre raste Tozaj u ka marrë viktimave të tij nga 300 mijë deri në 650 mijë lekë të reja, pasi i ka mashtruar se do t’i fuste në listën e personave që përfitonin kredi të buta nga bashkia.
Këtë ai e bënte edhe duke u paraqitur viktimave formularë apo dokumente që i falsifikonte me firmën e ministrit Saimir Tahiri, ose të titullarëve të tjerë të lartë.
Madje, në një rast ai ka mashtruar edhe një biznesmen, të cilit i premtoi se do ta rregullonte që të merrte me qera vilën 31 në zonën e ish-Bllokut.
Për këtë mashtrim të radhës, Tozaj ka marrë një shumë prej 7 mijë dollarësh dhe 5 mijë eurosh, ndërsa çimimi i qerasë do të ishte 3 dollarë për m2, raporton TCH.
Por duket se këto mashtrime ishin kthyer në një mani për të pandehurin pasi vite më parë ai kishte qenë sërish i dënuar për të njëjtën akzuë, pasi mashtronte personat e interesuar për t’u pajisur me dëshminë e taksistit dhe u merrte atyre shuma që varionin nga 30 mijë deri në 50 mijë lekë të reja.
Edhe këtë mashtrim ai e realizonte duke u prezantuar si këshilltar i ministrave të ndryshëm, si dhe duke paraqitur dokumente të falsifikuara. Pas pretencës së prokurorisë, e cila kërkoi për Elton Tozaj 8 vite burg, pritet vendimi i gjykatës.
Diskutime rreth kësaj post