Teknika e re, artileria dhe avionët e forcave të armatosura serbe nuk përfaqësojnë kërcënim për askënd; ato janë thjesht prova se Serbia i vlerëson jetët e qytetarëve të saj dhe do të jetë në gjendje t’i mbrojë.
Kështu deklaroi presidenti serb Aleksandar Vuçiç në aeroportin e Batajnicas në periferi të Beogradit, ku ndodhej për të marrë pjesë në paradën ushtarake dhe spektaklin ajror që shënuan 73-vjetorin e çlirimit të kryeqytetit serb gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por fjalimi i kreut të shtetit serb përcolli edhe një mesazh tjetër mjaft të rëndësishëm.
“Serbia kërkon të ketë një shtet të fortë e të qëndrueshëm, i cili të jetë në gjendje të shfaqet si partner i fuqishëm për një marrëveshje historike me shqiptarët, për fqinjësi të mirë me boshnjakët, për relata të kënaqshme me kroatët e për lidhje më të forta me malazezët”, tha Vuçiç.
Serbia tha Vuçiç, nuk ka frikë të negociojë, por askush nuk duhet të mendojë për negociata nga frika.
“Ushtria serbe është sot më e fuqishme se kurrë e shumë shpejt, do të jetë edhe më e mirëpaguar. Ne jemi një shtet i lirë, i pavarur dhe Sovran që kërkon të shikojë punën e tij, të zhvillohet e të përparojë”, u shpreh Vuçiç.
Sipas Vuçiçit, Serbisë i nevojitet stabiliteti po aq shumë sa zhvillimi dhe rritja ekonomike dhe për këtë, paqja është kushti bazë. Më tej, kreu i shtetit serb theksoi edhe një herë se vendi është në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, por pavarësisht kësaj do të vazhdojë të ruajë një marrëdhënie të ngushtë e miqësore me Rusinë dhe Kinën.
Pas paradës dhe spektaklit ajror, ku u përfshi dhe avioni MIG 29 i dhuruar Vuçiçit nga ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu, ushtarët kryen manovra të fokusuara tek anti-terrorizmi dhe situata pengmarrje.
Diskutime rreth kësaj post