Nga Adrian Çollaku
Ishte pasditja e 25 shkurtit, kur lideri i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, do të takohej edhe njëherë me liderin e LDK-së Isa Mustafa, që të vendosnin përfundimisht nëse i pari i partisë më të madhe në vend, do t’i hynte garës për president.
“Profesor, po të pyes edhe njëherë nëse i ke të sigurta votat e deputetëve të LDK-së”, ishte pyetja e fundit që Hashim Thaçi ia shtroi Isa Mustafës para se vendoste përfundimisht, që të kandidonte edhe zyrtarisht për postin e presidentit, i kanë thënë Gazetës Blic burime të afërta me dyshen Thaçi- Mustafa.
Kryeministri i vendit pa asnjë hezitim dhe i bindur i ishte përgjigjur: “Po, të sigurta i kam, përjashto këta deputetë: Vjosa Osmanin, Adem Salihajn, Arben Gashin e Alma Lamën”.
Mirëpo, Thaçi sikur parandiente se nuk do ta kishte shumë të lehtë ardhjen e tij në këtë post, pas shumë kundërshtimeve, edhe njëherë iu drejtua Isa Mustafës: “Profesor, edhe nëse nuk zgjidhem president, të garantoj se zgjedhje të reja nuk do të ketë. Edhe me kushtin që president të jetë krejt dikush tjetër, mirëpo dua garancionin se i ke të sigurta votat e LDK-së, që nëse hyjë në këtë punë, mos të dështoj”.
Kur gjithçka u mendua se po shkonte sipas parashikimeve, Isa Mustafa duket se nuk e kishte menduar se gjatë “rrugës” për ta bërë Thaçin president, do t’i dilnin telashe të tjera dhe të paparashikuara.
Dështimi i parë ishte bindja e Anton Qunit
“Isa Mustafa nuk ka pritur që do t’i “dështojë” Anton Quni. Ishte i bindur se ai do të marrë pjesë në seancë. Përkundër që e takuan së bashku me Hashim Thaçin, Anton Quni megjithatë u tha JO”, tregon ky burim i Gazetës Blic.
Takimi i Qunit me Isa Mustafën e Hashim Thaçin u bë publik edhe në medie, ku u zbuluan detajet e bisedës, të cilat i kanë konfirmuar edhe burimet e Gazetës Blic.
“Ka pasë shumë biseda. Por, një ndër momentet më të veçanta ishte një ditë para seancës, ku u takuam me Kryeministrin Mustafa dhe Hashim Thaçin. Thaçi kishte ardhur shumë i përgatitur. Dy gjërat që i diskutuam ishin këto: adresimi i vrasjeve politike dhe Ligji i Veteranëve. Për të dyja çështjet, Thaçi ofroi zgjidhje konstruktive. Për vrasjet politike, Thaçi tha se drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë ka për ta marrë LDK-ja”, kishte thënë Quni, duke shtuar se përsëri nuk mundi të largohej prej qëndrimeve të tij.
“Unë e shpreha gatishmërinë të japë dorëheqje si deputet, e në vend timin të vijë një deputet që do ta votonte Thaçin për President, por zotni Mustafa e mohoi kategorikisht këtë mundësi”, kishte thënë Quni.
Befasia ishin Hatim Baxhaku e Shpetim Bulliqi
Isa Mustafës nuk i dolën fjalët që ia dha Hashim Thaçit. Pak momente para se të mbahej seanca për zgjedhjen e Hashim Thaçit president, dy deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hatim Baxhaku e Shpetim Bulliqi, në mënyrë të papritur e deklarojnë mospjesëmarrjen e tyre në seancë, duke e vështirësuar edhe më shumë kuorumin.
“Pak kush në LDK e dinin se këta dy deputetë, që deri atë kohë kishin qenë të heshtur, do të befasonin më këtë vendim dhe që do ta rrezikonin seriozisht zgjedhjen e Hashim Thaçit”, thonë burime të Gazetës Blic.
Në ora 9 të mëngjesit të 26 prillit, do të takohen edhe njëherë Hashim Thaçi e Isa Mustafa, para se t’i mbanin takimet me grupet parlamentare.
Aty gjithçka do të ndryshojë. Isa Mustafa ka një lajm të keq për Hashim Thaçin.
“Më duket se nuk do të mundem t’i bindë deputetët e mi për të marrë pjesë në seancë”, i thotë Isa Mustafa me gjysmë zëri, Hashim Thaçit.
Lideri i PDK-së duket më i vendosur se kurrë.
“Tash është shumë vonë. Duhet të bësh diçka, më nuk mund të tërhiqem”, kishte thënë Thaçi, tregon ky burim i Gazetës Blic bisedën në “katër sy” të dy liderëve, para se të fillojë seanca e Kuvendit.
Në orën 10:00, Isa Mustafa kishte lënë një takim me Grupin Parlamentar të LDK-së.
Tashmë ishte e sigurt se Vjosa Osmani, Anton Quni, Adem Salihaj, Hatim Baxhaku e Shpetim Bulliqi nuk do të merrnin pjesë në seancë.
“Tash gjithçka ishte në dorën e disa deputetëve. Mbledhja e Grupit Parlamentar të LDK-së filloi pa ta, derisa situata e Isa Mustafës tensionohej”, tregon ky burim zhvillimet brenda GP të LDK-së.
Pak minuta më vonë ndodhi “mrekullia”.
Në sallën ku po zhvillohej mbledhja e GP-së hyn “papritur” Arben Gashi, e më pastaj edhe disa deputetë të tjerë të LDK-së.
“Isa Mustafa i befasuar dhe i gëzuar njëkohësisht, e mirëpret ardhjen e Arben Gashit. Me shumë mirësjellje dhe duke e lutur, i thotë “mos e voto Thaçin, vetëm mos na dërgo në zgjedhje të reja, rri në sallë”, tregon ky burim i Gazetës Blic.
Posa Mustafa mori konfirmimin nga Gashi se do të jetë pjesë e seancës, i lutet që ta thërrasë në telefon Alma Lamën, që të kthehet në Kuvend.
“Ndërsa Gashi nuk ia miraton këtë kërkesë, Isa Mustafa e dërgoi dikë që të shkojë ta bindë Alma Lamën dhe ta sjellë deri në Kuvend”, tregon ky burim.
Alma Lama ishte sjellë dy herë në Kuvend, me veturë të siguruar nga LDK-ja dhe me shofer-një zëvendësministër.
Një burim tjetër-deputet i LDK-së, thotë se jo vetëm në mbledhjen e GP-së për zgjedhjen e Thaçit president, por edhe gjatë të gjitha takimeve, Mustafa nuk iu kishte bërë presion deputetëve për të votuar. Nga ta kishte kërkuar të deklarohen haptas duke i lutur që të mos e rrëzojnë qeverinë, duke pamundësuar zgjedhjen e Thaçit president.
Madje, LDK-ja gjatë javës e kishte diskutuar dhe ishte afër konsensusit për të pasur edhe ata një kandidat për President të Kosovës. Kishte edhe emra konkretë që ishin shqyrtuar. Por, ishte tërhequr në momentin e fundit. Në vend të kësaj disa deputetë të LDK ishin të “detyruar” të vendosin nënshkrimet për nominimin e kundërkandidatit, Rafet Rama.
Ndërkohë, ora ishte bërë 11:00, kohë kjo e paraparë për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit dhe PDK e LDK ende nuk dukeshin në “horizont”, pos opozitës e cila në Kuvend po përgatitej që të kundërshtonte zgjedhjen e tij me gaz lotsjellës dhe me protesta para Kuvendit.
LDK-ja gjatë tërë kohës ishte në panik. Pasiguri kishte edhe në mesin e PDK-së. Ismet Beqiri si kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së, kishte filluar t’i thërrasë në telefon secilin nga deputetët që pas orës 11 nuk ishin në sallë. “Nuk është në rregull me u fsheh dhe mos me ardhë në Kuvend”, i kishte thënë ai një deputeti që ishte vonuar pakëz dhe që këtë detaj e zbuloi për Gazeta Blic.
Ora i afrohet 12:00. Koalicioni përkundër shumë vështirësive, ka 82 vota për zhvillimin e seancës.
Melihate Tërmkolli ishte bindur disa ditë më herët.
“Mirëpo, në opinion paraqitej kinse ende është e pavendosur, ndërkohë që marrëveshja me të ishte kryer ditë më herët”, thekson ky burim i Gazetës Blic.
Një deputeteje të LDK-së, në ndërkohë i ishte punësuar një i afërm ndërsa një tjetrës, një udhëtim jashtë shtetit.
Gazeta Blic i di emrat dhe rastet, por ato do të publikohen në momentin që edhe faktografohen.
Befasia e opinionit ishte Armend Zemaj.
Deputeti i LDK-së edhe pse në secilën paraqitje publike kishte deklaruar se nuk do ta lejojë zgjedhje e Hashim Thaçit president, Gazeta Blic ka marrë vesh, se disa ditë para mbajtjes së seancës, Zemaj ia ka konfirmuar Isa Mustafës pjesëmarrjen në seancë.
“Zemaj ishte i sigurt dhe për të më nuk kishte dyshime”, thotë ky burim.
Ditën e zgjedhjes së Thaçit president, Zemaj pjesëmarrjen e tij në seancë e kishte arsyetuar me atë se zgjodhi “mes anarkisë dhe rendit”.
Hashim Thaçi nuk ia lë rastësisë
Lideri i PDK-së, duke e ditur rrezikun që mund të dështojë zgjedhja e tij president, ditë më herët ishte aktivizuar që t’i sigurojë votat, sidomos të deputetëve të pavarur. Madje, qysh në fillim të javës.
Burime të Gazetës Blic bëjnë të ditur se Hashim Thaçi, së bashku me Isa Mustafën ishin përfshirë direkt që ta bindin Margarita Kadriun, që të votojë.
“Terminali doganor iu nëshkrua, punë kjo që iu krye në afat rekord dhe pa përfillur asnjë procedurë ligjore”, tregon ky burim.
Një gjë e tillë është konfirmuar edhe zyrtarisht dhe është raportuar në medie.
Shaip Muja e Gëzim Kelmendi, dy deputetët e pavarur të Kuvendit të Kosovës, nuk arriti t’i bindë askush. Siç ka marrë vesh Gazeta Blic, Kadri Veseli kishte marrë mision që ta bindte Mujën, por përpjekjet e tij ishin të kota.
.
Kushtet e Listës Serbe
Lista Serbe ishte e qartë në kushtet e saja. Ajo ka kërkuar formimin e një komune të re, formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, Zëvendëskomandantin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës do të nominohet nga Presidenti i Asociacionit, e që do t’i ketë 80 përqindëshin e kompetencave të komandantit të përgjithshëm, kuptohet për komunitetin e tij; Zëvendëskryeministri i Kosovës nga Lista Serbe do të ketë kompetenca shtesë në punën e tij; Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të ketë mbikëqyrjen, emërimin dhe mbledhjen e të ardhurave nga doganat që janë në kufi me komunat serbe; Të hyrat në Asociacionin e Komunave Serbe nga Serbia nuk do të ketë të drejt Qeveria e Kosovës t’i ndalojë, por vetëm të kërkojë destinacionin se për çka janë të dedikuara.
Detajet e marrëveshjen nuk dihen, por sipas të gjitha bisedave ato nuk përfshijnë diçka më tepër se punësime, poste në qeveri dhe favore.
“Duda Balje zhduket nga Salla për disa minuta. Koalicioni në siklet.”
Momentet dramatike gjatë zhvillimit të seancës
Burime të Gazetës Blic tregojnë se gjatë zhvillimit të seancës për zgjedhjen e presidentit kishte ndodhur një moment “dramatik”. Deputetja Dude Balje kishte munguar në seancë për disa minuta, çka kishte nxitur panik të madh te koalicioni, nga rreziku i dështimit të kuorumit për zhvillimin e seancës.
“Pasi u “zhduk” Duda Balje për disa minuta, filloi kërkimi i saj në gjithë sallën e Kuvendit”, tregon ky burim këtë moment paniku të koalicionit.
Hashim Thaçi, u zgjodh president pas një debati të gjatë e përplasjesh në Kuvend midis pozitës e opozitës dhe pas hedhjes së gazit lotsjellës nga deputetët opozitarë dhe përjashtimin e tyre nga ajo seancë.
Në raundin e parë Thaçit, iu ngri buzëqeshja, pasi mori vetëm 57 vota, ku pastaj kërkohet një pauzë disa minutëshe, e cila duket të ketë pasur efekt.
Beqiri më pas ka thënë se votimi i Thaçit e ka shpëtuar vendin nga kaosi.
Ky është momenti kur Thaçi e urdhëroi Isa Mustafën me vetulla, t’i detyrojë deputetët e LDK-së ta votojnë
Partitë opozitare i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet kah fundi i muajit të jap verdiktin e saj për zgjedhjen e presidentit të ri.
Ndërkohë, është paralajmëruar që më 8 prill, të organizojë një ceremoni madhështore, me rastin e pranim- dorëzimit të detyrës së presidentit, në sheshin “Skenderbeu” dhe “Ibrahim Rugova”, përballë institucioneve qendrore të Kosovës, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të shteteve të rajonit dhe më gjerë./ Gazeta Blic
Diskutime rreth kësaj post