Pasi pranoi ftesën e kryeministrit Rama për të qenë pjesë e listave të PS në zgjedhjet e 25 prillit, inxhinierja Luljeta Bozo, ka marrë pjesë ditën e sotme në aktivitetin e zhvilluar për rindërtimin.
Gjatë fjalës së saj, krah kryeministrit Edi Rama, Luljeta Bozo, tha se ky proces po ecën me ritme të shpejta dhe se qytetarët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 po hyjnë në shtëpitë e reja pa shpenzuar asnjë lek.
Teksa përmendi rastin e Italisë, Bozo tha se që në vendin fqinj ka më shumë se 10 vite që ka rënë tërmeti dhe qytetarët italianë janë akoma në rulota.
“Të hysh në një shtëpi të re pa shpenzuar asnjë lek për mua është një dhuratë. Ne kemi shembuj në Italinë që ka mbi 10 vjet që ka rënë tërmeti dhe akoma janë në rulota, akoma nuk janë strehuar, përveç se po kërkojnë qira se po rrinë në rulota dhe kanë zënë një copë tokë nga halli, kurse këtu jo vetëm që nuk paguajnë asnjë lekë, por u bë shtëpia e re sipas standardeve. Në procesin e rindërtimit është filluar ndërtimi sipas rregullave, me infrastrukturën e nëntokës, pastaj me infrastrukturë rrugore dhe pastaj vazhdon me ndërtimin e shtëpive. Ky proces për mua po ecën shumë normalisht, ndoshta ka nevojë për të treguar për ata që janë hezitues se mendojnë që bëhet menjëherë. Njerëzit duhen sqaruar që shtëpitë nuk ndërtohen kështu, nuk ndërtohen pa pasur fonde dhe ne e kemi pasur shumë vështirë. Them se shumë shpejt plagët e tërmetit do të riparohen dhe njerëzit duhet të jenë mirënjohës sepse është një dhuratë e madhe. Jo të gjithë e bëjnë këtë. Programi i rindërtimit që nisi me tërmetin unë them që duhet të vazhdojë me një aspekt tjetër me të cilat mund ta zhvillojmë vendin tonë. Ka punë shumë për të bërë në zonat rurale”, – tha inxhinierja Luljeta Bozo. /Opinion
Diskutime rreth kësaj post