-Dy mijë të rinj dhe studentët e Diasporës, do të kenë mundësi të jenë pjesë e administratës publike shqiptare për një praktikë tre-mujore dhe një mijë të tjerë në administratën kosovare.
Në ambjentet e Muzeut Historik në Tiranë, u prezantua sot programi tre-mujor i praktikës së punës në muajt qershor-gusht 2016, për të gjithë të rinjtë shqiptarë.
I pranishëm në këtë aktiviteti ishte Kryeministri Edi Rama, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, Ministri i Diasporës në Kosovë, Valon Murati, studentë e përfaqësues të njohur te jetës politike e sociale.
Kryeministri i vendit, Edi Rama gjatë fjalës së tij tha se “praktika kombëtare e punës është për të gjithë vajzat e djemtë që flasin shqip në të gjithë kombin tonë. Ky program i cili në fillimet e saj u konceptua me shumë skepticizëm si çdo gjë e re dhe nuk menduan për atë ç’ka realisht do të ndodhte. Ky është një program me interes të madh qoftë për të rinjtë që përfitojnë nga mundësia e praktikës por edhe e administratës që përfitojnë nga potenciali i të rinjve”.
Sipas tij, qëndrueshmëria e një administrate lidhet me cilësinë e saj, që sipas Ramës, prej vitesh Shqipëria ka vuajtur.
“Në historinë e një vendi ka gjëra që mund të bëhen më ngadalë dhe gjëra që mund të bëhen më shpejt, por është qëndrueshmëria e cila përcakton cilësinë e administratës dhe në këtë aspekt, Shqipëria prej vitesh ka qenë në vuajtje të madhe por besoj fort se ne, po hedhim bazat e qëndrueshme të një administrate europiane. Për të rinjtë, kjo përbën një mundësi reale sepse programi ka një përmasë shumë të rëndësishme të informimit dhe rritjes se kapacitetit përmes praktikes dhe ajo ç’ka ka ndodhur është që 200 më të mirët janë punësuar me kontratë 1 vjeçare”, nënvizoi kryeministri.
Ai shtoi se kontrata nuk është vetëm një mundësi për të punuar 1 vit por për tu përgatitur 1 vit seriozisht për konkurse të ndryshme në administratë.
Po ashtu, ai sqaroi që ky program përbën parakushtin për ata që duan të punojnë në administratë po ashtu edhe ne sektorin privat.
Nga ana e tij, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi gjatë fjalës së tij vuri në dukje rëndësinë e kontributit që duhet të japin të rinjtë në administratën publike.
“Si ministër i ri, jam me fat që prezantoj këtë program që lidhet drejtpërdrejt me punësimin e të rinjve. Sot, jemi mbledhur për ti dhënë të rinjve, të rinjve të diasporës ti japim mundësi të rinjve të japin kontributin e tyre. Praktika e punës 2016 është një program që ofron një mundësi alternative për punësimin e të rinjve, kudo ndodhen pra edhe për të rinjtë e diasporës. Ky është një program për të gjithë shqiptarët pa dallim territori”.
Klosi tha se përmes aplikacionit online www.praktika.sociale.gov.al, të rintë kanë mundësi të bëhen pjesë e administratës, për të dhënë kontributin e tyre.
Ministri i Diasporës në Kosovë, Valon Murati tha se “diaspora shqiptare është një aset i jashtëzakonshëm për të dy shtetet. Një element i rëndësishëm i diasporës sonë është kapitali njerëzor i ndërtuar në kohë’.
Programi Kombëtar i Praktikës, këtë vit ofron 2 mijë vende për praktike në Shqipëri dhe 1000 të tjera në administratën në Kosovë. Në fund të takimit, ministri Klosi dhe ministri i Diasporës, Valon Murati nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit.
Diskutime rreth kësaj post