Sot ja vlente, për çdo shqiptarë të “protestonte” për qeveri teknike dhe zgjedhje të ndershme, për t i u bashkuar çadrës pa popull, sepse ishin aq shumë sa…. Do i kënaqej syri kryeçadrës, kur të shikonte aq shumë protestues, që po “protestonin”…për atë, por në fakt ishin ato të vërtetit… populli që po festonte…për vete. Çadra e bardhë, çadra e zezë, nga ku kryeçadristi famëzi ishte zhdukur e fshehur pa nam e nishan, rrinte e heshtur. Ai ishte zhdukur, i frikësuar me mendjen e keqe, se mund t’i pushtonin çadrën podium, ku deliron çdo ditë me idenë e “shpëtimitarit” dhe po përpëlitej që bunkerin mos t’i a dorëzonte askujt.
Asnjë nuk shihej në çadrën e lirisë, që në fakt të ngjante si çadra e zbrazëtisë! Banorët e vetëm, endacakët e gjorë, që nuk dinin se ç’të bënin, të festonin me barkun bosh dhe me lemosha, që mund t’i u jepeshin me bollëk dhe bujari nga festuesit, apo të rrinin në çadër duke pritur qoften dhe birrën e radhës, që rrallë herë kishin pasur mundësi ta pinin. Banorët e fundit, këto hallexhinj të mëdhej, kur panë që mijëra njerëz po festonin, deshën ta ndjenin dhe ato njëherë vetën si njerëz të gëzuar dhe vendosën t’i bashkohen festës së popullit “pa çadër”.
Më mirë mes njerëzve se sa në çadër, ku janë mbledhur ata që i kanë bërë gjëmën ketij populli, ata që nuk duan të na lënë as të festojmë dhe as të votojmë, tha një hallexhi, që nuk kishte as lek dhe as pasuri, që nuk kishte vrarë e nuk kishte prerë, që nuk e dinte se çfarë është një avion dhe çfarë janë vendet ekzotike ku pushojnë të ngujuarit e çadrës, me gra e fëmijë, miq edhe shokë dhe të gjithë ata që erdhën nga shpellat dhe zgafellat brekgrisur dhe sot na u bënë milionerë të kollarisur. Ky hallexhi kishte dalë të festonte dhe jo të protestonte, megjithëse kishte plot gjëra për të protestuar, kundër fatit, të keqes, qeverisë dhe perëndisë.
Ata, sot në atë çadër të boshatisur, i’u dhimbsën dhjetra mijëra qytetarëve me pisllëkun dhe çibanin e stërmadh që kishin vendosur para këmbëve të tyre, në rrugën e tyre, në atë rrugë ku sot festohet dhe çdo ditë gjoja protestohet. Aty, ku ata mizorë vranë njerëz, vetëm sepse po kalonin me duar në xhepa në rrugën e tyre dhe të Zotit, në një tokë pa pronar me emrin Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pronë e atyre që e kishin larë me gjak vetëm për një ëndërr… lirinë.
Por sot, çadra ishte e braktisur dhe e boshatisur, sepse në atë bulevard po parakalonte populli, jo populli imagjinar, por populli i vërtetë, që ka hallet dhe problemet e tij, ka pakënaqësitë dhe zhgënjimet e tij, ndaj pushtetarëve të të gjithë llojeve dhe modeleve politike, që nuk mund t’i kënaqin të gjithë, por duhet të pakësojnë të pakënaqurit. Shikoni fotot dhe binduni o të verbër që doni të na tregoni rrugën, ju shurdhë që doni të na tregoni bubullimën, ju memec që doni të na recitoni Shekspirin.
Ky është populli, jo ai i bashkive dhe partive, i “hedhur” në bulevardin tonë, në bulevardin e tyre, për të na thënë se janë të mërzitur dhe nuk i lidh asgjë me ju mashtruesa. Mërzituni ju që keni humbur prona dhe pasuri, ju që kurrë nuk gjetët drejtësi dhe qetësi, ju që e lat me lotë dhe djersë bukën e fëmijëve, mërzituni dhe mos heshtni, ulurisni dhe protestoni, kur ju kanë harruar dhe braktisur, por mos u poshtëroni nga ata që janë tallur me ju ndër vite!
Lerini të mërziten karrigexhinjtë, që humbën ato ndenjëse të lyera me gjak dhe m*t, por mos i lini të flasin në emërin tuaj, në emër të popullit, sepse nuk ka popull si soji i tyre! Ky i sotmi është populli, që nuk është marrë peng dhe zvarrë, e që jeton dhe gëzon atë pak gëzim, që mund t’i fali jeta. Ky është populli që përfaqëson veten e thërret sot e gjithmonë: “Më mirë sorrën se horën”!
Diskutime rreth kësaj post