Ish-deputeti i Partisë Demokratike Genc Pollo ka bërë përgjegjës kryeministrin Edi Rama, sipas tij për bllokimin e negociatave me BE-në.
Pollo ka reaguar, ndërkohë që një ditë më parë ministri gjerman Michael Roth deklaroi për gazetaren Erisa Zykaj se Shqipëria ka ende dy kushte për të plotësuar, funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe zbatimin e Kodit Zgjedhor.
Lidhur me këtë, Pollo shprehet se Rama po bllokon rrugën europiane të Shqipërisë. “Shqiptarët nuk kanë nevojë për një kryeministër që poston çdo dhjetë minuta në Instagram por duan një tjetër që rrealisht lufton epideminë e mbështet ekonominë; duan një qeveri që do të sjellë shpresë tek njerëzit”, shprehet Pollo mes të tjerash.
Deklarata e plotë:
“Siç e kemi mësuar nga lajmet, dje Bashkimi Europian refuzoi çeljen e negociatave me Edi Ramën kryeministër.
E vërteta është se Rama po bllokon rrugën europiane të Shqipërisë.
Ai e rrëzoi marrëveshjen e 5 Qershorit për reformën zgjedhore. Edhe pse kjo marrëveshje ishte ndërmjetësuar e bekuar nga Bashkimi Europian e nga Shtetet e Bashkuara: kjo është arsyeja madhore për refuzimin e djeshëm.
Rama, përsëri, e tradhtoi ëndrrën e përbashkët që Shqipëria të bëhet pjesë e Europës së Bashkuar.
Rama nuk bën gjë tjetër veçse batuta politike dhe gjithçka që të mbijetojë në postin që ende ka.
Çmimin për këtë e paguajnë shqiptarët; Ata meritojnë një qeveri që punon realisht për ta.
Shqiptarët kanë nevojë jo për një qeveri që sheh gjithë ditën interesat personale; por për një qeveri që përpiqet çdo ditë për interesin kombëtar dhe që prin në udhën drejt Bashkimit Europian.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për një kryeministër që poston çdo dhjetë minuta në Instagram por duan një tjetër që rrealisht lufton epideminë e mbështet ekonominë; duan një qeveri që do të sjellë shpresë tek njerëzit.” – tha Pollo.
VIDEO:
Diskutime rreth kësaj post