Mbledhja e ambasadorëve të SHBA dhe BE, Donald Lu e Romana Vlahutin me grupin parlamentar të Partisë Demokratike, është shoqëruar me debate.
Ka qenë deputeti i PD, Genc Pollo ai që e ka cilësuar presion nga ana e ambasadorëve, insistimin e tyre për miratimin e reformës në drejtësi.
Në përgjigje, Vlahutin i ka kujtuar ligjvënësve demokratë se nëse nuk miratohet reforma në drejtësi, atëherë procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, do të bllokohet për të paktën 3 vjet.
Në këtë debat ka ndërhyrë edhe ambasadori i SHBA, Donald Lu i cili ka theksuar se ambasadorët nuk do të kapërcejnë “vijën e kuqe”, por reforma në drejtësi është kryefjalë e të gjitha reformave për Shqipërinë.
Debatet në mbledhjen e ambasadorëve me PD
Romana Vlahutin: Detyrimi im është t’ju tregoj avancimin e Shqipërisë nga këndvështrimi europian. Ne kemi investuar kapital politik, para dhe ekspertizë në Shqipëri. Në rast se nuk do ketë ndërhyrje të thellë dhe të fortë në këtë reformë nuk mund ta ndihmojmë Shqipërinë në rrugën e BE.
Donald Lu: Kam dëgjuar se keni filluar diskutimin mbi ardhjen tonë në mbledhje. Nuk do ketë kapërcim të ‘vijës së kuqe’. Prania ime është shprehje e rëndësisë së reformës, por jo urdhër…. Jemi të përgatitur për të qenë konstruktiv. Por duam edhe opozitë konstruktive. Kjo reformë të marrë miratim dhe të zbatohet. E vetmja pyetje është si do ta bëjmë? Duhet të ketë bashkëpunim të gjitha partive… OPDAT ka përgatitur një draft të mirë sipas rekomandimeve të Venecias.
Genc Pollo: Është e papranueshme ajo që kam lexuar në gazeta, se ambasadorët kanë deklaruar “se do të turpëroheni nëse nuk votoni tani reformën”. Kështu nuk pranohet, që t’i thuhet deputetit voto pa e lexuar. Trajtohet kjo reformë në mënyrë të pabesueshme. Po të kesh vërejtje për të, do të thotë se je hajdut, antievropian, antiamerikan…, etj.
Romana Vlahutin: Nëse nuk miratohet tani reforma në drejtësi, negociatat do bllokohen për të paktën tre vite. Unë nuk jam këtu t’ju them se si e bëni punën tuaj si ligjvënës, e vlerësoj rolin tuaj, por duhet t’ju them si e sheh BE këtë proces.
Diskutime rreth kësaj post