Në fillim të nëntorit 1994, morëm vesh se 92 vjeçari Mikel Koliqi, prifti shkodran, vëllai i Ernest Koliqit, ishte përzgjedhur kardinal nga Papa Gjon Pali. Një lajm që u prit me entuziazëm, pasi për herë të parë një prift shqiptar që kishte vuajtur një kalvar të gjatë për mbi dyzet vjet burgje dhe internime gjatë regjimit komunist arriti të nderohet nga Vatikani. Lajmet e mbushura me mitingje për referendumin për Kushtetutën që u mbajt në 6 nëntor, ishin bërë të lodhshme dhe të mërzitshme. Prandaj dhe lajmi për Koliqin ishte një përthyerje e monotonisë.
Pa asnjë ngurrim u nisa drejt Shkodrës për të realizuar një intervistë për VOA-n me Kardinal Koliqin. Rruga Tiranë-Shkodër ishte ajo që ishte, e kohës së diktaturës, e hollë, me dy kalime, me kthesa. Sapo kalova Fushë-Krujën me një naivitet të dukshëm pyeta taksistin i cili kishte ngadalësuar shpejtësinë pasi rruga ishte rrëshqitshme:
– Nuk po u besoj syve, pse gjysma e rrugës është e zezë, kjo korsi në të djathtë ku po ecim ne, ndërsa gjysma tjetër e makinave në kthim më duket e bardhë…
Taksiste qeshi dhe ma ktheu:
– Po kjo është rruga e kontrabandës së naftës drejt Malit të Zi e Serbisë. Shikoji si shkojnë njëri pas tjetrit botet me naftë. Kur shkojnë janë plot, ndërsa në kthim janë bosh e nuk kanë ç’të derdhin…
Kështu ishte krejtësisht rruga deri në Shkodër e më tej… Unë pashë me sy dhe preka një realitet që përflitej tavolinave apo nën zë në Tiranë e në gjithë Shqipërinë.
Bëhej kontrabandë në mes të ditës, ndërsa në TV jepeshin lajme se si Shqipëria po respektonte embargon e vendosur nga OKB ndaj Beogradit…
Hipokrizi më të madhe të pushtetit të asaj kohe nuk kishte! Pak kohë më vonë deputeti demokrat Azem Hajdari do të denonconte publikisht kontrabandën e naftës që partia e tij bënte nëpërmjet firmës “Shqiponja”.
***
Partia Demokratike e drejtuar me dorë të hekurt nga Sali Berisha, jo vetëm në vitet 1990 por edhe sot e kësaj dite, do të mbahet mend për shumë bëma dhe gjëma që i ka bërë këtij vendi dhe këtij populli. Por në vitet e para të ardhjes në pushtet ajo do të përmendet si parti që, e para dhe në mënyrë të organizuar, bëri kontrabandë dhe që ka meritën se ngriti në sistem korrupsionin e të gjitha shkallëve.
Kjo është një njollë që nuk mund të “pastrohet” kurrë në historinë politike e qeverisëse të PD, të Sali Berishës dhe pushtetit të tij të viteve 1992-1996, kjo është shkelja e embargos së OKB ndaj Serbisë së Millosheviçit, në lidhje me furnizimin e Serbisë me karburante, municion e armë, në vitet kur ky shtet ushtronte gjenocid barbar kundër popujve të federatës, veçanërisht kundër popullit shqiptar të Kosovës. Mbi këtë akt antiligjor, anti-OKB e antikombëtar, mund të ngrihen shumë pyetje, pikëpyetje e hipoteza. Por thelbi nuk ndryshon. Ndërkohë që regjimi i Millosheviçit vazhdonte të derdhte gjak shqiptarësh në Kosovë, Sali Berisha, nëpërmjet SHIK-ut dhe mafies rajonale, kishte angazhuar dhe aktivizuar gjithë strukturat e shtetit që komandonte, për të furnizuar regjimin e Millosheviçit me karburante, armë e municione, ndërkohë që OKB, i kishin vendosur regjimit gjakatar serb, një embargo të paparë, synimii vetëm i së cilës ishte të zbuste, në mos të ndalonte agresivitetin kasapin modern të Ballkanit.
Në ditët e gushtit të sivjetëm kur është diskutuar për përcaktimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, pati një përplasje të fortë midis Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha, i cili nxitoi të ngrinte lart flamurin e patriotit. Në një prononcim të tij, zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, tha arsyet pse Berisha mbajti këtë qëndrim. “Berisha vrapon të marrë flamurin e patriotit, sepse në disa momente të rëndësishme politike është komprometuar rëndë. E kam fjalën për Rambujenë, kontrabandën masive të karburantit drejt ish Jugosllavisë etj.”
Firma “Shqiponja”
Në takimin që Sali Berisha ka pasur me Momir Bullatoviçin (në atë kohë President i Malit të Zi dhe krahu i djathtë i Sllobodan Millosheviçit) ka arritur të bjerë në ujdi me Berishën pikërisht më 15 shtator 1993, për të shkelur embargon e Kombeve të Bashkuara ndaj ish-Jugosllavisë. Ai ka këshilluar ish-presidentin tonë që kontrabanda të bëhej privatisht dhe qeveria do të lehtësonte kështu barrën e qytetarëve të varfër të këtij vendi. Pra do të krijonte imazhin e një qeverie që punon, mendon e lufton për mirëqenien e popullit të saj.
Kaq u desh dhe, sikurse tashmë është e qartë se kjo kontrabandë e drejtuar nga shteti, arriti t’u sigurojë fitime përrallore të gjithë strukturës shtetërore shqiptare të kohës. Shoqëria kryesore që drejtoi kontrabandën e naftës drejt Jugosllavisë ishte pikërisht “Shqiponja”, pronë e Partisë Demokratike. Për shkeljen e embargos në atë kohë u denoncua qeveria shqiptare.
Në librin me kujtime “Rregullat e heshtjes” (Pravila Cutanja) pjesë nga i cili janë botuar në DITA, Momir Bullatovic shkruan ndër të tjera rreth takimit me Berishën:
“Atëhere përmenda dhe naftën, d.m.th. derivatet aq të nevojshme për ne.
“Zoti President, a kërkoni Ju që Shqipëria të shkeli sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj vendit tuaj?” më pyeti ai (Berisha). Duke qenë se bisedat regjistrohen (dhe sigurisht dhe janë përgjuar), kjo nënkuptohet, sepse hynte në korrektësinë diplomatike bazë.
“Zoti na ruajtë,- u përgjigja i gatshëm. Vetëm propozoj që t’i respektoni në mënyrë të ngjashme, siç vepron p.sh. ish Republika Jugosllave e Maqedonisë. Nëqoftëse do të pranohet kjo që kërkoj unë, çdo qytetar i pjesës veriore të Shqipërisë mund të siguronte një fitim të mirë. Nuk është e vështirë që ta llogarisësh atë, nëqoftëse nisesh nga supozimi që është minimumi një pfening për litër”.
Vonë, shumë vonë këtë fakt e ka pranuar edhe vetë Berisha, duke u justifikuar se ky ishte një akt patriotik për të ndihmuar shqiptarët e Kosovës. Absurditet më naiv nuk mund të gjesh të ketë dalë nga goja e një politikani. Bëhet fjalë kur Kosova ishte nën Serbi dhe në Beograd sundonte Sllobodan Millosheviçi.
Kontrabanda “patriotike” e Shqipërisë drejt territorit jugosllav “për të ndihmuar kosovarët”, është një histori e sajuar në stilin e njohur berishist. Ardhja e Bullatoviçit në Tiranë në shtator 1993 dhe ajo çka pasoi këtë vizitë (kontrabandë jo vetëm të naftës por edhe të armëve, gjakderdhje të tmerrshme në Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë), zbulojnë qoftë edhe pjesërisht një dinamikë të panjohur nga ana e publikut shqiptar të marrëdhënieve të Berishës me Jugosllavinë e Millosheviçit.
Vetëm dy javë më parë, historiani i njohur kosovar Hakif Bajrami, në një letër publike drejtuar Sali Berishës (e cila u botua e plotë në tre numra të gazetës DITA), shkruante kështu:
“Sali, Ti vetëm se bëre një listë sesi ta zhbëje diplomacinë e ushtrinë, si të bëje fajdet, me tentim ta shkatrrojshe Shqipërinë Bregdetare, sikundër e realizove më 1997. Fare nuk mendove apo “mendove”, në mënyrë që të hapje shanset për Milloshin, ta shfaroste Kosovën pa problem, sepse Shqipëria mbaroi (mars 1997). Kjo nuk ishte shitje e drejtëpërdrejtë, por gypat e naftës nëpër Liqenin e Shkodrës, drejtë tankeve të Milloshit, të thërrasin trishtueshëm: Mbylle gojën! O Sali, kena me i botu edhe fotogarfitë e gypave, kur Serbia ishte nën embargo, e dënuar unanimisht nga KS OKB-së. Fol, a dalim ballë për ballë?”
Si realizohej kontrabanda?
Në vitet 1993-1996, autobotet me naftë, mazut, benzol, benzinë e vajgur special për avionët, ose ndryshe me “kerazinë”, vinin çdo javë në “karavanë” prej 17-18 automjete në naftë. Ato ngarkoheshin në Greqi dhe mbasi ndërronin dokumentet dhe mjetet në Bullgari, nëpërmjet Maqedonisë futeshin në Qafë-Thanë, bënin “një xhiro-hyrje dalje formale në Shqipëri me dokumente false dhe shkonin drejt Serbisë. Kjo “linjë” bëhej prej 3 vitesh, pa pushim asnjë ditë. Këto autobote, kishin drejtues bullgarë, grekë, malazezë, kosovarë e maqedonas, por që komunikonin saktësisht në gjuhën e doganës tonë. Por ata për garanci komunikimi, në çdo mjet e në çdo rrugë qarkullimi, shoqëroheshin nga shqiptarë, të cilët në fakt ishin oficerë të SHIK-ut, të autorizuar me leje speciale prej qeverisë shqiptare, policisë shqiptare dhe sidomos me “autorizim special” të firmosur nga ish-shefi famëkeq i SHIK-ut, Bashkim Gazidede.
Në bazë të “Ligjit për Partitë”, subjektet politike kishin të drejtë të krijonin shoqëri tregtare, me arsyetimin për të forcuar financat. Krerët e PD shfrytëzuan paratë që jepte buxheti i shtetit për financimin e partive politike në vend si kapital fillestar për themelimin e firmës “Shqiponja”. Firma “Shqiponja” ishte ajo që nga Porti i Durrësit shërbeu si një nga furnitorët kryesore me karburante të tregtarëve më të vegjël, të cilët më pas i kalonin karburantet kontrabandë në Mal të Zi. Është pohuar se karburantet në Portin e Durrësit silleshin për llogari të firmës “Shqiponja” nga një firmë angleze. Pasi karburantet depozitoheshin në disa tankera të mëdhenj në Portin e Durrësit, të cilat ishin në llogari të firmës “Shqiponja”, fillonte më pas shpërndarja e sasisë tek tregtarët shqiptarë të cilët ishin licensuar për tregtinë e naftës. Në fillimet e veta firma “Shqiponja” arrinte të furnizonte ndjeshëm dhe në sasi të mëdha tregun shqiptarë me karburante. Kjo jo vetëm për shkak të infrastrukturës që kjo firmë kishte ngritur, por edhe për faktin, se duke qenë se PD ishte në pushtet absolut, firma trafikuese “Shqiponja” me kryetar bordi Sali Berishën dhe me staf drejtues kupolën e PD, kishte një seri favoresh nga organet shtetërore përsa i përket lejimit të trafikimit të karburanteve, hapjes së portave të importit, liria e transportit në territorin shqiptar dhe eksporti të pakontrolluar në kufi e karburanteve kontrabandë, mos pagesa dhe mos kontrollet tatimore e fiskale, shpejtësia e kryerjes së veprimeve doganore, mbështetja e këtij trafiku me siguri prej policisë, ushtrisë dhe SHIK. Krijimi i firmës “Shqiponja” në marrëveshje të fshehtë për trafikun e karburanteve e armëve, me drejtues krerët më të lartë të shtetit e pushtetit shqiptar, u bë në momentin kur Serbia e Millosheviçit ishte në krizë për naftë, armë e fishekë, prej embargos që i kishte vendosur OKB, si kusht për të ndalur gjenocidin ndaj popujve të ish-Jugosllavisë, gjenocid që ushtrohej barbarisht e kriminalisht edhe ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Fitimet e mëdha që po rridhnin nga tregtia e karburanteve, krijuan jo pak turbullira edhe brenda radhëve të PD. Ish- deputeti Azem Hajdari, akuzoi publikisht drejtuesit e lartë të PD, të qeverisë dhe të shtetit se nëpërmjet firmës “Shqiponja-PD”, po bënin kontrabandë karburantesh dhe se kishin shkelur embargon e OKB-së ndaj ish- Jugosllavisë. Në betejën e përplasjeve brenda PD, ndikoi jo pak edhe lufta për të dominuar tregun e karburanteve, që po prodhonte fitime të kolosale, ndërmjet klaneve të ministrave, politikanëve e deputetëve të PD. Kjo luftë mes klanesh që kishte zbritur në “terrenin” e interesave të fitimeve financiare dhe që fijet kontrolloheshin prej Sali Berishës, Tritan Shehut, Genc Rulit e Ritvan Bodes, u acarua aq shumë, sa në vitin 1995 nisi përplasja e madhe. Azem Hadari desh u linçua nga të vetët brenda partisë së tij, por edhe në shtyp. Ai etiketohej me epitetet më të zinj dhe konsiderohej armiku më i rrezikshëm brenda partisë.
Pikëpyetjet
Pavarësisht se për kontrabandën e naftës në ato vite është folur pambarimisht, ka ende shumë pikëpyetje enigmatike. Pyetja kryesore që nuk ka marrë asnjëherë përgjigje është kjo: Sa ka qenë sasia e naftës së kontrabanduar? Sa ka qenë fitimi real nga kjo kontrabandë dhe në cilët xhepa ka shkuar kjo shumë marramendëse parash të thata? Megjithëse kanë kaluar 25 vjet nga ajo kohë, nuk kemi asnjë dokument zyrtar nga ish-qeveritarët tanë për pasur një ide mbi përmasat e këtij krimi shtetëror dhe sidomos nuk kemi asnjë të ndëshkuar…
Mirëpo, dikush e ka vëzhguar me kujdes dhe laps në dorë këtë tregti të paligjshme. Dhe është pikërisht CIA amerikane. Shërbimi inteligjent amerikan, sipas këtij dokumenti ekskluziv që po botojmë sot në DITA, jep shifra të përafërta dhe grafikët e kontrabandës që është bërë nga Shqipëria në drejtim të ish-Jugosllavisë për tre viteve radhë, ditë pas dite.
Në bazë të këtyre shifrave ekspertët mund të bëjnë një llogaritje përafërt të përfitimeve, pa u munduar të pyesin ndonjë nga të kupolës së firmës “Shqiponja”. Lulzim Basha nuk ka dijeni për këtë kontrabandë. Po të pyetet Tritan Shehu, ish-kryetar i PD-së në vitin 1995, dhe një nga menaxherët kryesorë të firmës “Shqiponja” mund të patakseni kur të dëgjoni një përgjigje të ngjashme si ajo që tha në një TV kur u pyet për vitin 1997:
“Çfarë ndodhi në vitin 1997? Asgjë. Më thoni ju lutem një person që të jetë vrarë atë vit nga shteti. Ç’janë këto absurditete me “Shqiponja” e përralla të tjera. Parti më paqësore dhe më të ndershme se PD-ja nuk keni për të gjetur asnjëherë në historinë e Shqipërisë!”
Por edhe të tjerët si Tritani mbase dhe ata nuk e dinë shifrën e saktë. Ishin disa duar që e drejtonin firmën dhe këta kishin shefa mbi krye, shumë më të fuqishëm se ata.
Fakti që “Shqiponja” u mbyll pasi mbaroi kontrabanda e naftës, ka një domethënie jo të vogël.
***
Dokumenti sekret i CIA-s më 22 korrik 1995 mbi thyerjen e embargos ndaj ish-Jugosllavisë
Sanksionet e OKB-së kundër Beogradit: Përse pengohen
Transportuesit shqiptarë aktualisht kanë kontrabanduar një sasi që arrin 400-600 ton (2900-4400, fuçi) të naftës produkte në ditë në Mal të Zi. Pavarësisht shqetësimit të Tiranës për fatin e shqiptarëve etnikë që jetojnë në Serbinë jugore, Tiranës, ndoshta nuk e ka vullnetin e përhershëm të zvogëlojë kontrabandën. Shqiptarët janë të varfër, ndaj bëjnë kontrabandën fitimprurëse shumë tërheqëse të karburantit. Për më tepër, qeveria gjen të ardhura tatimore nga paratë e krijuara nga kontrabanda e karburantit dhe zyrtarët e korruptuar shqiptarë me sa duket përfitojnë personalisht prej kontrabandës. Edhe në qoftë se Tiranës donte ta ndalonte, ndoshta nuk ka fuqi të personelit dhe burimeve për të reduktuar ndjeshëm kontrabandën.
Pas një rënieje në dhjetor 1994 dhe janar 1995, importet e karburanteve në Shqipëri janë rritur. Importet e qershorit tejkaluan nevojat e Shqipërisë me të paktën 16,000 ton (116,800 fuçi), që nënkupton gati 550 ton (4.000 fuçi) janë dërguar përditë në RFJ-së.
– Tankerat kryesisht nga Greqia – tre të katërtat e të gjitha depozitave – dhe Italia telefonojnë rregullisht në portet shqiptare. Në qershor, furnizimet detare në Shqipëri arrinin në rreth 20.756 ton, ose një mesatare ditore prej gati 700 ton (5.000 fuçi).
Shuma e parashikuar mujore e Shpërndarjes së karburanteve në Shqipëri
Kamionët çisternë nga Greqia gjithashtu sjellin produkte të naftës në Shqipëri. Greqi pretendon se eksporton 150 ton në ditë (rreth 1,100 fuçi) nga toka për në Shqipëri, por monitoruesit e sanksioneve nuk kanë të dhëna të plota për këtë aktivitet. ‘Vajrat e naftës shqiptare për konsumin e brendshëm vlerësohen në 300 ton (2200 fuçi) në ditë.
Diskutime rreth kësaj post