Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdojnë qëndrimin në paraburgim në Hagë, ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza për krime të pretenduara të luftës. Në ditët në vijim pritet të vazhdojnë konferencat mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe të tjerëve e njohës të punëve të drejtësisë konsiderojnë se gjykimi nuk do të nisë deri në vitin 2022, duke shtuar se sivjet priten arrestime të tjera. Ndërsa në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së thonë se deri tani nga Specialja u ftuan mbi 200 persona.
Pesë vjet pasi ishte themeluar, Gjykata Speciale nisi arrestimet e para në Kosovë. Salih Mustafa, ish-shef i Inteligjencës në Forcën e Sigurisë së Kosovës, i njohur gjatë luftës si komandant Cali, ishte i arrestuari i parë nga hetuesit e Speciales, më 24 shtator të vitit të kaluar.
Një ditë më vonë, hetuesit e Speciales, bashkë me Policinë e EULEX-it nisën bastisje në selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Pas një drame që u paraqit me numër të madh të policisë së EULEX-it, veteranë para zyrës së organizatës, e fare pak informata se çka po ndodh brenda, nën pranga doli kreu i kësaj organizate, Hysni Gucati. Disa orë më vonë, u arrestua edhe vartësi i tij, Nasim Haradinaj.
Pas arrestimit të krerëve të organizatës, Faton Klinaku nisi të ushtroi postin e kryetarit të OVL-UÇK. “Mbi 200 persona të ftuar, qoftë dëshmitarë apo akuzuar, ka pasur thirrje po ashtu të personave që kanë qenë më herët dëshmitarë duke i provokuar apo shantazhuar mos iu kanë ardhur disa dosje, krejt kjo është bërë për të rënduar akuzën ndaj zotit Gucati dhe zotit Nasim Haradinaj. Për skandalet që u kanë ndodhur atyre në Hagë nuk duhet të përgjigjen krerët e organizatës së veteranëve sepse nuk është e paligjshme nëse ti e informon publikun për disa gjëra që ata i kanë bërë në bashkëpunim me Prokurorinë serbe për krime lufte”, thotë Klinaku.
Arrestimet ndodhën disa ditë pasi në zyrat e organizatës së veteranëve, një person i panjohur, kishte sjellë disa dosje që doli se kishin rrjedhur nga Gjykata Speciale. Për të njëjtat, krerët organizatës, treguan publikisht përmes konferencave për media. Kështu, ata u dërguan në paraburgim në Hagë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
E dy muaj më vonë, ndaj tyre u konfirmuan edhe aktakuzat. “Prokurorët në rastet e Gjykatës Speciale e kanë bërë një strategji e cila u është imponuar nga një varg veprimesh, aktivitetesh që janë ndërmarrë qoftë në raport me personat e akuzuar e më së shumti nga OVL-UCK. Nuk duhet harruar asnjëherë faktin që dosjet që janë publikuar nga OVL-UCK në njëfarë mënyre e kanë ulur integritetin, e kanë ulur besueshmërinë por edhe profesionalizmin e prokurorëve dhe gjyqtarëve në Gjykatën Speciale. Dhe Gjykata Speciale edhe sot nuk ka dhënë asnjë sqarim se si kanë rrjedhur këto informacione që në bazë të ligjit, mandatit të Gjykatës Speciale do të duhej të ishin të garantuara sa i përket sekretit”, thotë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Bastisjet nuk u ndalën, hetuesit e Speciales në një mëngjes të hershëm kishin hyrë në shtëpinë e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi. Pasi i bastisen pronat, më 4 nëntor, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, të cilit i ishte ngritur aktakuzë, e arrestuan dhe e dërguan në paraburgim në Hagë
Një ditë më vonë u publikua edhe aktakuza e ngritur ndaj Hashim Thaçit, i cili po atë ditë dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, dhe shefit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
Të gjithë, nën përcjelljen e policisë së EULEX-it, u dërguan në Aeroportin e Prishtinës prej ku u dërguan në paraburgim në Hagë.
Sipas drejtorit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, sivjet mund të ketë edhe arrestime të tjera. “Do të kemi aktakuza të reja të konfirmuara, do të ketë me siguri mund të ketë arrestime të reja, në këtë drejtim jam i bindur që viti 2021 do të kalojë më shumë përmes konferencave statutore e seanca gjyqësore që nënkupton fillimi i procesit gjyqësor nuk mund të ketë para vitit 2022, respektivisht para mesit të vitit 2022”, thotë ai.
Me një dosje të përbashkët të aktakuzës, por të ndarë në seanca, Thaçi dhe të tjerët, që po akuzohen për krime të pretenduara të luftës, u deklaruan të pafajshëm para gjyqtarit të procedurës paraprake.
Konferencat mbi ecurinë e çështjes ndaj tyre, vazhduan të përbashkëta, ku Zyra e Prokurorit të Specializuar ende nuk ka dhënë datë për përfundimin e hetimeve, ndërkohë ka kërkuar që ato të mos ndërpriten duke shtuar që dosjen paragjyqësore do ta dorëzojnë në muajin korrik me kushtin që gjyqi të fillojë ne shtator 2021.
E papranueshme për avokatët ka qenë propozimi i prokurorit që procesi gjyqësor të fillojë këtë vit, duke deklaruar që u duhen së paku 18 muaj për t’i kryer hetimet e tyre.
“Prokurorët, që për ne ka qenë e çuditshme, janë duke kërkuar të fillojnë proceset gjyqësore brenda tre apo gjashtë muaj nga momenti që njëfarë mënyre veç kanë filluar seancat statutore në gjykatë, e që për ne si IKD çdo i pandehur në çfarëdo procedure duhet t’i sigurohet një gjykim i drejtë, i pavarur dhe një gjykim i paanshëm e që në fund e fiton besimin e publikut. Në këtë rast, me vet faktin që prokurorët po insistojnë që gjykimet të fillojnë kaq shpejtë dhe mos t’i jepet mundësi avokatëve mbrojtës kohë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen, një farë mënyrë e shohim nga ana e Prokurorisë si një qasje shumë selektive”, thotë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Edhe sipas avokatit Kushtrim Palushi, mbrojtja duhet të ketë më shumë kohë për t’i kryer hetimet.
“Duhet sa kohë ka pasur prokuroria të hetojë rastin dhe të hetojë mbi aktakuzë, përafërsisht të njëjtën kohë ta ketë në dispozicion edhe mbrojtja për të përgatitur mbrojtjen e saj dhe për të zhvilluar hetime për fakte dhe prova që shkojnë në favor të të akuzuarve”, thotë ai.
Konferencat mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të vazhdojnë prej 8 janarit, ku priten edhe parashkrimet nga mbrojtja lidhur me kërkesën për lirim të përkohshëm të të akuzuarve, deri në fillimin e procesit gjyqësor.
“Nuk besoj që gjykata do të merr parasysh për t’i liruar ata, pse për t’ju shqiptuar ndonjë masë më të butë të sigurisë. Siç e thash, argumentet kryesore të gjykatës për shqiptimin e paraburgimit, fakti i mundësisë së ndikimit në dëshmitarë, pengimi i procedurës, fuqia politike por edhe fuqia që këta persona kanë, sepse janë figura kryesore jo vetëm të luftës por edhe e politikës kosovare, andaj nuk besoj që të njëjtit mund të lirohen. Nëse mund të flasim për ndonjë lirim eventual kjo mund të vijë tek pas gjysmës së dytë të vitit 2021 kur mund të vijë në shprehje ndonjë ndryshim i rrethanave qoftë në teren apo në lidhje me hetimin apo përgatitjen e palëve për gjykimin”, thotë ai.
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdojnë të kundërshtojnë Dhomat e Specializuara duke thënë se duhet të gjykohen krimet serbe që kanë ndodhur në Kosovë.
Ata kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të ndryshojnë ligjin për Specialen, por një gjë e tillë nuk është arritur.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në gusht të 2015-ës, pas një seance maratonike, votuan ndryshimet kushtetuese përmes së cilave u mundësua themelimi i Gjykatës Speciale.
Diskutime rreth kësaj post