Avokati i njohur Spartak Ngjela me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook, foli rreth politikës së re amerikane dhe lidhjen e saj me Shqipërinë. Ngjela u shpreh se politika amerikane është duke ndryshuar dhe duke dalë nga dëmet e mëdha që i janë shkaktuar Perëndimit. Ngjela tha se presidenti Joe Biden është duke ndërtuar me shpejtësi një politikë të re amerikane ku është e përqendruar në idenë se ditët kur Rusia kishte veprime agresive ndaj SHBA-ve, tashmë ka marrë fund.
“Politika amerikane po ndryshon dhe është duke dalë nga dëmet e mëdha që i shkaktoi asaj dhe Perëndimit. Në SHBA tani, presidenti Biden po ndërton me shpejtësi politikën e re amerikane. Ai deklaroi se ditët kur SHBA qëndronte pasive përballë veprimeve agresive të Rusisë, kanë marrë fund”, tha Ngjela.
Ai u shpreh se tanimë me heqjen e një të çmenduri duke iu drejtuar ish-presidentit Donald Trump, politika e re amerikane do të neutralizojë të gjitha dëmet që i janë shkaktuar Amerikës. Ngjela tha se edhe Shqipërisë, politika nënshtruese ruse i ka dëmtuar reformën dhe prestigjin kombëtar. Sipas tij Trump ka përkrahur interesin në dobësimin e Kosovës dhe Shqipërisë.
“Gjithçka e dëmshme ka dalë tani jashtë nga qerthulli rus i Trump-it, dhe politika amerikane do të vijojë të neutralizojë të gjitha dëmet që i janë shkaktuar Amerikës. Ajo veprimtari antiamerikane, e ndërmarrë nga një i çmendur, si histori e një politike nënshtruese ndaj Rusisë, e ka dëmtuar edhe Shqipërinë në reformën e vet, por dhe në të gjithë prestigjin e saj kombëtar, ngaqë Trump ka përkrahur, interesin rus në lidhje me dobësimin e Shqipërisë dhe të Kosovës”, u shpreh avokati.
Ngjela akuzoi krerët e politikës si të korruptuar, sipas tij ata nuk do t’u përgjigjen mirë ndihmave cilësore që SHBA do të sjellë. Ngjela tha se ndryshimi i politikës amerikane do të sjellë risi në vendin tonë pasi Amerika nuk do të lejojë që Rusia të ketë influencë në Shqipëri.
“Tani po ndryshon gjithçka dhe shqiptarët kanë filluar të përfitojnë sërish ndihmën cilësore që po iu vjen nga SHBA. Brenda këtij kursi të ri na duhet të pyesim: krerët e politikës shqiptare a do t’i përgjigjen me intelekt të lartë politik motivit të reformuar nga politika e re e Uashingtonit? Kjo sigurisht do të jetë një çështje që do të ketë përplasje në Shqipëri, sepse këta krerë janë të korruptuar. Në funksion të këtij fakti, në politikën shqiptare do të ketë risi, sepse Perëndimi nuk do të lejojë influencë ruse në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post