Policia e Shtetit ka lëshuar një deklaratë për mediat në lidhje me protestën e opozitës këtë të shtunë, ku konfirmon lëndimin e 11 efektivëve të policisë.
Policia thotë se gjithçka ka qenë e qetë deri kur “një grup personash, para Kryeministrisë, tentuan të krijonin incidente me Policinë dhe më pas një grup protestuesish kanë tentuar të çajnë kordonin e forcave speciale të Policisë, në afërsi të godinës së Ministrisë së Brendshme”.
Më tej, theksohet se “mbi punonjësit e Policisë së Shtetit janë hedhur gurë dhe mjete të tjera rrethanore dhe mjaft prej tyre janë goditur me sende të forta. Për pasojë janë lënduar dhe po mbahen në mbikëqyrje mjekësore 11 efektivë policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Edhe mes tubuesve pati një të lënduar, i cili mori ndihmën mjekësore të nevojshme”.
Gjithashtu në deklaratë thuhet se për hetimin e rasteve të dhunës së ushtruar është ngritur një grup i posaçëm hetimor.
Deklarata e plotë
Ditën e sotme, 26 maj 2018, Partia Demokratike dhe aleatët e saj, organizuan një tubim në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin para Ministrisë së Brendshme.
Arritja e pjesëmarrësve në qytetin e Tiranës, grumbullimi i tyre në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe fjalimi i rastit vijoi normalisht sipas parashikimeve dhe kërkesave të organizatorëve.
Në përmbyllje të tubimit, së pari një grup personash, para Kryeministrisë, tentuan të krijonin incidente me Policinë dhe më pas një grup protestuesish kanë tentuar të çajnë kordonin e forcave speciale të Policisë, në afërsi të godinës së Ministrisë së Brendshme.
Mbi punonjësit e Policisë së Shtetit janë hedhur gurë dhe mjete të tjera rrethanore dhe mjaft prej tyre janë goditur me sende të forta. Për pasojë janë lënduar dhe po mbahen në mbikëqyrje mjekësore 11 efektivë policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Edhe mes tubuesve pati një të lënduar, i cili mori ndihmën mjekësore të nevojshme.
Drejtuesit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët u angazhuan në menaxhimin dhe mbarëvajtjen e tubimit, e kryen këtë detyrë me profesionalizëm të spikatur dhe në përputhje me ligjet dhe rregullat në fuqi në Republikën e Shqipërisë, duke garantuar rendin dhe sigurinë publike si dhe respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Për hetimin e rasteve të dhunës së ushtruar është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Ky grup, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, po punon për identifikimin e episodeve të dhunës, identifikimin e personave përgjegjës si dhe dokumentimin e plotë të çdo episodi.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët e Tiranës për mirëkuptimin dhe durimin e dëshmuar pavarësisht vështirësive që mund të kenë hasur në qarkullimin rrugor në ditën e sotme.
Falënderojmë misionet ndërkombëtare të asistencës policore për mbështetjen e ofruar në hartimin dhe realizimin e masave policore për menaxhimin e tubimit.
Policia e Shtetit falënderon dhe vlerëson gjithashtu mediat që transmetuan me transparencë dhe profesionalizëm masat e marra, angazhimin dhe punën e strukturave dhe punonjësve të Policisë së Shtetit në menaxhimin e tubimit.
Policia e Shtetit është e angazhuar të sigurojë kurdoherë, zhvillimin e çdo tubimi paqësor, duke garantuar në çdo rast, sigurinë e jetës së qytetarëve dhe rendin publik, në respekt e zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
Diskutime rreth kësaj post