Një tentativë grabitjeje nga një grup prej katër personash të armatosur dhe të maskuar ka përfunduar me një të vrarë dhe një të plagosur. Ngjarja e rëndë si nëpër filma ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në lagjen “29 Nëntori” të qytetit të Fierit.
Autorët kanë shkëmbyer zjarr me policinë për afro 15 minuta, ndërkohë që ka mbetur i vrarë 20-vjeçari Xhuljan Sollaku nga fshati Katund i Ri i Elbasanit si dhe është plagosur 35-vjeçari Arben Muça me origjinë nga Puka dhe banues në Durrës.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit bënë me dije se katër pjesëtarët e grupit kriminal, të armatosur me automatikë dhe pistoleta kanë tentuar të hyjnë për të grabitur në banesën e shtetasit Minella Muçi.
Kanë qenë të zotët e shtëpisë që kanë pikasur grabitësit dhe kanë sinjalizuar policinë. Menjëherë uniformat blu kanë shkuar në vendngjarje, por janë përballur me sulmin me armë të katër agresorëve. Grabitja ka dështuar, ndërsa janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë, të cilët dyshohen se janë nga Fieri dhe nga Puka.
NGJARJA
Rreth orës 03:00, policia lokale u njoftua nga një telefonatë se në lagjen “29 Nëntori” Fier, pranë banesës së Minella Muçit, disa persona kanë tentuar të hyjnë brenda shtëpisë duke thyer drynin e derës. Pas marrjes së njoftimit, blutë kanë shkuar në lagjen në fjalë, por kanë ndeshur në rezistencën e grabitësve.
“Në kushtet e reagimit proporcional, nga shkëmbimi i zjarrit, njëri nga autorët është plagosur dhe një tjetër ka gjetur vdekjen. Të dy ata ishin të maskuar e të armatosur me pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Autorët e tjerë, që dyshohet se janë edhe dy, duke qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë janë larguar duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit, me një mjet ende të paidentifikuar”, thuhej në njoftimin zyrtar të policisë. Fatmirësisht nga shkëmbimi me armë zjarri nuk ka pasur të lënduar në radhët e Policisë së Shtetit.
Ndërkaq, blutë kanë ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit të Fierit, ndërsa po vijon puna për kapjen e autorëve të tjerë. Sipas burimeve të mësipërme, i plagosuri Arben Muça është dërguar në Spitalin Rajonal të Fierit ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se ky i fundit ka qëndruar me kallash tek porta dhe ka hapur zjarr i pari ndaj policisë. Autori tjetër, Xhuljan Sollaku qëlloi me dy pistoleta ndaj policisë, por mbeti i vrarë. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm provash materiale.
Një grup i posaçëm i Prokurorisë së Fierit po drejton hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Policia ka sekuestruar edhe disa kamera sigurie, por nuk dihet nëse grabitësit janë fiksuar prej tyre. Kjo është grabitja e dytë në Fier që shkakton viktima. Më 2 mars të këtij viti, në një pikë të këmbimit valutor mbeti i vrarë Agur Vrenozi (pronari i ndërtesës), i cili tentoi të ndalonte grabitësit. Ndërsa mbeti i plagosur, pronari i biznesit, Gëzim Hoxha. Në lidhje me këtë ngjarje u arrestuan brenda 90 minutave autorët: Zini Fyraj 37 vjeç, banues në Sevaster Vlorë (me precedent penalë); Lulëzim Demiraj, banues në Vajzë Vlorë dhe Dashamir Gergali 41 vjeç, banues në Zhupan Fier.
Diskutime rreth kësaj post