I njohur si cikloni bombë, stuhia e fuqishme është përshkruar nga meteorologët si uragani dimëror dhe pritet të godasë verilindjen e SHBA këtë javë, duke sjellë erëra shkatërruese në rajonin e prekur prej disa ditësh nga një i ftohtë vdekjeprurës.
Qyteti i Nju Jorkut po përjeton temperatura të ulëta rekord që prej Krishtlindjeve. Të paktën 11 persona kanë humbur jetën në SHBA, si pasojë e motit të ftohtë.
Fenomeni pagëzohet me këtë emër, pasi trysnia e ajrit do të ulet në mënyrë aq drastike sa do të gjenerojë një stuhi shpërthyese. Ajo parashikohet të godasë të enjten; pritet të sjellë 30 cm borë në New England dhe erëra deri në 100 km në orë.
Nga Maine në Florida, çdo shtet i bregdetit lindor të SHBA po përballet me stuhi apo reshje të dendura bore. Në Tallahase të Floridas, banorët thonë se nuk kanë parë kurrë borë si ajo e këtij viti.
Kushtet e acarta, të pazakonta në Florida çuan në mbylljen e dy Universiteteve ditën e Mërkurë, e pati gjithashtu mbyllje të përkohshme të parqeve ujore të Orlandos.
Autoritetet u detyruan të hapnin dhjetëra qendra emergjence. Në Pensacola, moti i ktheu shatërvanët në skulptura akulli. Ndërkaq në “Shtetin e Palmave”, Karolinën e Jugut, palmat pritet të mbulohen nga akulli e bora e stuhia pritet të nxjerrë jashtë funksionit linjat e energjisë elektrike.
Mbi 1 mijë borëpastruse dhe kamione me kripë janë pozicionuar në Karolinën e Jugut. Më në jug, në Xhorxhia u shpall gjendja e emergjencës për 28 konte bregdetare.
Diskutime rreth kësaj post