Nga Shpëtim Nazarko
– Lere, mo,- thotë im atë që ka vetëm dy klasë…
– Po dale, mo, – i them unë. – Se është film i bukur ky, pavarësisht se është i kohës së Enverit.
E di që im atë është antienverist i tërbuar dhe duhet të jesh shumë i kujdesshëm edhe kur përmend emrin e diktatorit në sy të tij. E urren, jo vetëm se i ka nxirë jetën atij dhe shtëpisë së tij. La atë vetë pa shkollë dhe pastaj ne, fëmijët e tij.
– Nuk dua ta shoh, – thotë… – E di përfundimin pa e parë. Ja ay personi aty, do të bëjë gabim. Pastaj fap, vjen sekretari i partisë që e kritikon dhe ky djali i keq vjen në rrugë të mbarë. Dhe ne të gjithë jemi të gëzuar…
Çfarë t’i them, ai ka të drejtë. Ai e di vërtet përmbajtjen e filmave në shumicën e rasteve pa i parë fare.
Propaganda e ditëve të fundit, rrotull filmave të socializmit është kthyer në një modë. Të paaftë si gjithë këtë kohë për t’u marrë me problemet reale që ka vendi, të majtë e të djathtë i janë përveshur rigjykimit të kohës së dikurshme. Duket sikur je brenda një orientimi të ngjashëm me atë propagandës së komunistëve të vjetër që bënin luftë kundër kishave dhe xhamive.
Por po të mbaj anën e atyre që kërkojnë të heqin filmat nga skena, atëherë ia vlen t’u vërvitemi edhe librave dhe revistave të kohës. Vërtet filmat dhe televizionin ishin mjete të propagandës masive, por edhe librat edhe revistat të tilla mund të quhen… A t’u vërvitemi dhe atyre? Kështu e bëjmë detyrën të plotë në të gjitha drejtimet.
Në atë gjykimin me tëmth të keq të problemit, mund të thuash edhe ndryshe.
Mirë që duhen hequr dhe zhdukur ato filma dhe libra a revista, por çfarë kemi bërë këto njëzet e pesë vjet pas rënies së komunizmit? Kjo është e thjeshtë, do të thotë dikush…
Po a kemi prodhuar filma, libra apo revista të denjë për t’i zëvendësuar? A kemi shkruar libra të atillë klasi që mund të na bëjmë t’i harrojmë ato që kaluam?
Nuk e di, unë vetë, megjithëse e besoj evolucionin kohor, nuk besoj që kemi prodhuar aq shumë sa të mburremi. Më thjesht akoma, po t’i kishim prodhuar, kjo tema e ish-librave apo filmave të socializmit nuk do të ishte ngjarje e ditës.
Nga ana tjetër, nuk është e vështirë që edhe sot në faqet e gazetave të mëdha të shohësh se ato shiten me tirazhe të mëdha vetëm kur merren me histori të së kaluarës nga jeta e Hoxhës apo të të tjerëve që i vinin rrotull. Janë kujtime kuzhinierësh apo shoferësh deri te ato të ish-drejtuesve të diktaturës… Nuk mërzitem shumë. Është si në Italinë e pasluftës, kur ngjarjet me Duçen ishin në modë, pastaj, me kalimin e kohës, gjithnjë e më pak.
Këtë periudhë e përjetojmë edhe ne, po ca më shumë se duhet. Italisë ndoshta iu deshën dhjetë vjet, ne ndoshta do të na duhen nja tridhjetë të tillë… Nuk ka asnjë arsye pse të çuditemi.
Nëpër filma këtë gjë e sheh më pak, se megjithëse mjete të propagandës masive, ato mbanin brenda tyre ca më shumë art sesa ato që shkruhen në faqet e gazetave të sotme për diktatorin apo diktaturën.
Kanë brenda tyre aktorë të atij klasi, që do të duhet shumë kohë t’u gjejmë të barabartët. Një shkrim për Kadri Roshin që vura dje në faqet e portalit tim, ishte klikuar shumë herë më tepër sesa të gjitha lajmet e pozitës dhe opozitës aktuale të Shqipërisë.
Si të bëjmë…?
Para pak kohësh në një emision të njërit nga televizionet, po dëgjoja një djalë të ri emigrant të ardhur nga Greqia që kishte kompozuar një këngë popullore dhe po e interpretonte me pathos të madh…
E pyeta në e kishte dëgjuar ndonjëherë Luçije Milotin, Fitnete Rexhën a Mentor Xhemalin…
M’u përgjigj se nuk e kishte bërë.
Shiko,- i thashë. Emisioni është vonë, po unë jam i bindur se plaku Dritëro nuk po fle… Do ngrihet e do vijë të na rrahë me shpulla këtu në redaksi. Kënga popullore që të quhet e tillë do vite e vite dhe të quhet e tillë, pikërisht kur mbetet pa autor. Lëmohet pafundësisht si ato gurët e zallit me të cilët lozim shpesh në brigjet e lumit. E nëse nuk është e tillë, nuk mbetet dhe humbet vetë…
Kisha parë pak përpara emisionit një nga kompozitorët e mëdhenj rusë. Aram Iliç Hacaturianin. Ky kompozitor gjenial armen i periudhës sovjetike dhe post saj, po i ankohej një ditë mikut të tij…
Si thua, Vladi… Sa përpara do të kisha ikur unë sikur të mos më kishin penguar këta bij bushtrash? E kishte fjalën për propagandën zyrtare të sistemit…
Hacaturiani, me normat e atyre që gjykojnë sot, ishte nga të përkëdhelurit e nomeklaturës sovjetike. Regjimi e linte të dilte jashtë etj., etj. Ndërkaq aty nga 1948-ta Stalini e dënoi siç bëri me Prokofievin, Shostakoviçin, etj.
I çoi në prodhim të njiheshin me njerëzit. Tamam apo njëlloj siç bënte dikur Enveri ynë, bile edhe me Kadarenë. Ishte një zakon i njohur, i përhapur nga Stalini, për të bërë zap herë pas here të pabindurit, apo ata që mund të dilnin nga vija.
Hacaturiani tregon se në një nga ditët e këtij internimi në ish-vendlindjen e tij në Armeni, po dëgjonte muzikë. E pyeti bashkëbiseduesin se e kujt ishte kjo pjesë, megjithëse e dinte mirë sepse e kishte shkruar po vetë ai.
-Është popullore, – u përgjigj shkurt bashkëbiseduesi i tij që ishte një plak i moshuar dhe nuk e njihte kompozitorin e madh.
Hacaturiani e kuptoi mirë domethënien e bisedës. Në gurin e tij të varrit shkruhet:
«Unë kam rrojtur, e parë shumë dhe kam shpëtuar. Po mos kujtoni se më ka shpëtuar qeveria… Unë kam dëgjuar tingujt e gjyshërve të mi. Dhe nëse i kam dëgjuar mirë ato tinguj, muzika ime ka për të jetuar gjatë»
Një thënie të tillë të ngjashme në trajtën e një testamenti ka lënë dhe Dritëroi dhe është normale. Të gjithë të mëdhenjtë e dinë mirë kodin e së vërtetës.
Po le të kthehemi te tema jonë. Çfarë të bëjmë me filmat e mirë apo të këqinj të diktaturës, apo ata të tanishmit? Se dhe këta ngjajnë shpesh si dy pika uji në propagandë me ata të dikurshmit. Vetëm se u mungojnë aktorët e mëdhenj…
Mendoni se vërtet do ta zgjidhni këtë dilemë me komisione a nënkomisione kulturore, apo grupe shkrimtarësh që kanë dalë tani pas njëzet e pesë vjetësh dhe kërkojnë llogari për gjëra të tilla?
Mendoj se gjëja më e mirë do të ishte t’i referoheshim Hacaturianit, apo akoma më mirë shembullit me këngën popullore. Koha është ajo që i mban apo i flak të mirat apo të këqijat.
Po zhdukëm filmat e asaj kohe, duhet të zhdukim edhe Kadri Rroshin e Naim Frashërin. Po zhdukëm librat e asaj kohe, do të më duhet të zhduk edhe Ismailin dhe Dritëronë.
Po krijuam komisione dhe nënkomisione, do t’i ngjajmë censorëve të Enver Hoxhës që pranonin pjesërisht Naim Frashërin dhe flaknin Gjergj Fishtën! Censuronin Fan Nolin dhe flaknin Faik Konicën…
Shakara të tilla janë pa asnjë kuptim. Dhe unë realisht s’e di se kush e ka këtë të drejtë për të bërë censurë këtu.
Kam frikë se ata që po fjalosin pafund në këtë periudhë, nuk kanë shumë punë me artin real. Në një gjë jam i sigurt. Edhe sikur vërtet t’i lëmë të zhdukin apo të censurojnë, prapë shumë prej këtyre censorëve nuk ka për t’u shërbyer kjo lloj ndihme. Ata vetë nuk do ngelen në atë thesarin e madh që i përket popullit, i cili di ta ruajë më mirë se çdo arkiv gjënë e çmuar që i përket atij.
Besoj se siç thotë Hygoi i madh, është koha dhe vetëm koha ajo që mban, apo thjesht i jep një gjëje fundin që meriton. E akoma më shumë duke iu referuar prapë Hygoit:
Është i mjerë dhe vetëm zvarritet ai që merret me kujtimet e të kaluarës.
Diskutime rreth kësaj post