Avionët luftarakë amerikanë, sidomos ata që nuk kapen nga radarët, fluturuan mbi Korenë e Jugut në nisje të stërvitjes së radhës ushtarake që, sipas Koresë së Veriut, po shtyjnë gadishullin drejt luftës bërthamore.
Zyrtarë të ushtrisë amerikane thanë se avionëve F22 i janë bashkuar edhe ata F35, që të gjithë të pakapshëm nga radari dhe që shënojnë majën e teknologjisë ajrore luftarake amerikane. Numri i saktë nuk dihet për arsye logjike, por ekspertët thonë se bëhet fjalë për përqëndrimin më të madh të avionëve të përparuar të brezit të pestë në histori në Korenë e Jugut.
Stërvitja e përbashkët pason një fundjavë mjaft të ndezur deklaratash luftarake, ndërsa zyrtarë nga Koreja e Veriut dhe SHBA-ja thonë se mundësitë për luftë po rriten. Pikërisht për këtë arsye, senatori republikan Lindsey Graham i kërkoi Pentagonit që të largojë familjet e personelit ushatarak amerikan nga Koreja e Jugut.
Sipas Graham, nuk ka kuptim që atje të qëndrojnë fëmijë amerikanë, apo të dërgohen të tjerë për të qëndruar pranë prindërve të tyre në shërbim, duke qenë se, sipas gjasave, lufta është në prag. Analistët thonë se diplomacia pas kuintave po bën gjithçka që mundet për të shmangur përballjen ushatarake, megjithëse pranojnë se tensioni mes dy vendeve nuk mbahet mend të ketë qenë kaq i lartë prej kohësh.
Diskutime rreth kësaj post