Drejtori i përgjithshëm Ardi Veliu firmosi dje 10 ndryshime në policinë e shtetit me përjashtim të Tiranës dhe Gjirokastrës.
Klodiana Lala priste shkarkimin e të gjithë kupolës së policisë së shtetit. “Do të isha entuziaste nëse do të shkarkohej e gjithë kupola e policisë së shtetit që ka dështuar dhe rokada e emrave është një histori sa për të zbutur tensionin publik” – tha ajo.
SPAK paralajmëroi arrestime të zyrtarëve të lartë të akuzuar për abuzim me fondet publike, ndërsa gazetarja Klodiana Lala shkoi më tej duke thënë se sot janë firmosur disa urdhra për kontrolle.
“SPAK ka disa dosje që po i lëviz “petët e lakrorit”. Vetëm sot më rezulton se janë firmosur të tjera urdhra kontrolle banesash se për cilin, duhet të presim, por SPAK me ato mundësitë e veta që ka po troket” – tha Lala.
Artan Hoxha kërkoi një shembull në nivel të lartë. “SPAK po punon për të shkuar lart. Por të shohim sa do ta provojë, uroj që ata të kenë mundësinë të na japin një shembull të lartë” – tha gazetari investigativ.
Sa i përket dosjes së përfolur, Lala u shpreh se pret që prangat të shkojnë deri në nivele të larta. “Me çfarë kam lexuar është vetëm maja e ajsbergut mendoj se do të shkojë deri në nivele të larta. Nuk ngrihen dyshime për përfshirjen e zotit Tahiri deri tani.
Nëse SPAK do të na thotë se kishte dijeni kjo është gjë tjetër. Historia e Tahirit deri tani është përfshirje morale” – përfundoi Lala.
Diskutime rreth kësaj post