Nga Mero Baze
Dy gjëra duket se e lënë ende pa gjumë Sali Berishën. Fakti që policët i kanë trokitur në derën e shtëpisë dhe përpjekja për të testuar nëse shoqëria është gati ta pranojë si vrasës legjitim të 21 Janarit.
Ka 24 orë që po përpiqet duke angazhuar gjithë lukuninë e tij, të mohojë faktin që policët i kanë trokitur në derë për ta marrë me forcë në Komisionin parlamentar. Polica ka pubikuar procesverbalin e shkuarjes në vendngjarje, përshkrimin e derës së mbyllur dhe i ka lënë rojes së tij të sigurisë, procesverbalin. Pas kësaj, Berisha për dhjetë minuta u shfaq në Komision dhe tha ato që e dëgjuam të gjithë.
Por ideja se Taulant Balla e detyroi të vinte me forcë para Komisionit, duket se e ka tronditur. Në fillim, para dhjetë ditësh, ai refuzoi të flasë para tij, dhe iku nga Komisioni. Ndërkohë që ai po ikte, Ristani i gjeti dhe justifikimin, se Balla kishte konflikt interesi. U sqarua dhe ajo çështje, se Balla nuk është gjyqtar, por kryetar i një Komisioni hetimor.
Erdhi përbetimi i tij i dytë, se ai nuk do shkonte në Komision para një “shpifësi”. E tha aq shumë këtë, me zë dhe figurë, sa gjithë të vetëve ju mbush mendja se Doktori është burrë dhe e mban fjalën.
Por pastaj ndodhi ai episodi i pakëndshëm, trokitja e policëve në derë të shtëpisë, dhe ai i harroi të gjitha, konfliktin e interesit, “shpifësin” dhe gjithçka tjetër. “Shkoi si Çeçua”, siç u tall Taulanti.
Ideja se ai u mund dhe u dorëzua, duket se është një përjetim i rëndë i tij. Dhe nuk e ka hallin tek Taulanti, por prolemin më të madh e ka se “u prish magjia” dhe ai mund të merret zvarrë me forcë, kur tenton t’i bëjë karshillëk ligjit. Dhe ato gratë e tij deputete, që besonin se “kreshniku” i maleve nuk do shkojë kurrë para Komisionit me forcë, tani nuk dinë ç’të bëjnë, me leckat e lagura që kishin bërë gati për protestë në Kuvend.
Ideja se mbështetësit e tij po e shikojnë si një lider të prekshëm, të thyeshëm, të dorëzueshëm dhe mbi të gjitha frikacak, e ka tërbuar dhe ka 24 orë që matet të thotë se nuk ka thënë kurrë që nuk do të shkojë në Komision, nuk ka mohuar që do dalë para Ballës dhe mbi të gjitha, të mohojë që u tremb nga policët në derë të shtëpisë. Është simptomë tipike e një njeriu që është mbrojtur, duke trembur të tjerët me egërsinë e tij. Tani egërsia e tij, tremb vetëm atë.
Gjëja e dytë e frikshme, që me sa duket lidhet me të parën, është makthi i tij për 21 Janarin dhe përpjekja për të na testuar a e pranojmë si vrasës. Në studion e “Top Story”, para një gazetari që e ka akuzuar si puçist, ai ka deklaruar dje se kishte në plan të vriste Edi Ramën, sikur turmat të mos përmbaheshin. Në fakt Edi Ramën, nuk kishte ku ta gjente, se nuk e kaloi as urën e Lanës, por është e qartë se Berisha është duke bërë prova të legjitimojë ato vrasje, si një ndodhi normale, bile që mund të ishin dhe më të rënda, duke vrarë dhe kryetarin e opozitës.
Problemi i tij real, është se ka pranuar që ka vrarë dhe për këtë do të përgjigjet një ditë. Për ta relativizuar peshën e krimit, ai po flet për një krim hipotetik edhe më të madh, sikur kjo do të ishte diçka normale.
Nëse ai dje do të mbrohej, pse vrau Aleksin, Ziverin, Faikun apo Hekuranin, ishte rreziku të dukej frikacak. Ai duhet të dukej doemos trim dhe për këtë duhet të shpikte dhe idenë e tij “të parealizuar”, për të vrarë Edi Ramën. E gjitha kjo është një përpjekje për ta bërë vrasjen politike, fenomen normal dhe për të dëshmuar që mund të ishte dhe më keq, dhe ne duhet t’ia dimë për nder, që nuk na ka vrarë të gjithëve.
Është pak a shumë si paniku që e ka zënë nga ideja se policët i kanë trokitur në derë të shtëpisë. Ai nuk e pranon dot, që tashmë është përballë krimeve të veta. Nuk e pranon dot që është përballë milionave që ka vjedhur vet dhe familja e tij. Komisioni hetimor i CEZ nxjerr fakte për përfshirje të djalit të tij në këtë proces, udhëtime në Pragë, lidhje dhe transaksione me persona që kanë lidhje me procesin e privatizimit etj.
Por mbi të gjitha, reforma në drejtësi i heq atij imunitetin e njeriut që komandonte drejtësinë dhe e lë të pambrojtur para drejtësisë.
Është ky shkaku që ai tenton t’i heqë frikën vetes për 21 Janarin, duke testuar opinionin publik nëse e pranon aktin e tij si vrasës. Për këtë ai bën sikur nuk e ka problem të flasë për vrasjet, biles dhe për vrasjen e mundshme të Edi Ramës. Është e gjitha një përpjekje për të na testuar të gjithëve, nëse e pranojmë si vrasës.
Dhe mendoj se duhet ta pranojmë, nëse i besojmë aksiomës së njohur për politikanët që kanë qeverisur duke vrarë. Kush qeveris me duar të përgjakura, nga gjaku do të ikë!
Diskutime rreth kësaj post