Nga Mero Baze
Edhe pse po përpiqet të provokojë një krizë me zgjedhjet, Lulzim Basha po bën kujdes të duket si triumfator i sigurtë për 18 Qershorin. Ai thotë se zgjedhjet do të bëhen dhe se Edi Rama do të nënshtrohet.
Por ajo që duket në terren, është krejt ndryshe. Dy partitë e mëdha, PS dhe LSI, kanë kohë që kanë nisur fushatën. Partia Socialiste thuajse i ka caktuar deputetët fitues në lista dhe pret vetëm të plotësojë listën formale. Ata janë shpërndarë në qarqe dhe kanë nisur punën.
LSI po ashtu. Monika Kryemadhi është përditë në Elbasan, Vangjel Tavo përditë në Gjirokastër, Agron Çela në Shkodër e kështu me radhë. Pavarësisht deklaratave të ndryshme të LSI, nga PS lidhur me qëndrimin ndaj zgjedhjeve pa opozitën, ata po përgatiten për fushatë.
Të njëjtën gjë po e bën dhe PDIU. Shpëtim Idrizi ka nisur fushatën në gjithë vendin, dhe drejtuesit e qarqeve po ashtu. Biles deputeti Rakipi në Elbasan ka rritur dhe stekën e pretendimeve për mbi dy deputetë.
Po kështu po bëjnë dhe parti të tjera më të vogla si ajo e Gjinushit, Milos etj.
E vetmja paarti që nuk po lëviz fare në drejtim të organizimit të fushatës elektorale, pavarësisht debatit politik, është PD. Sot kryetarët e PD në rrethe nuk dinë askush asgjë, se kë mund të kenë të parin e listës dhe më tej. Ata janë tërisisht të shkëputur nga udhëzimet për zgjedhjet dhe kanë humbur tërësisht terrenin elektoral, të cilin po ua “bren” dita ditës LSI, PDIU dhe parti të tjera .
Edhe rasti i Kavajës tregon se PD nuk është gati të bëjë më garë. Në qytetin bastion të saj përmbi 20 vjet, ajo nguron të garojë përballë një gruaje, e frikësuar se humbet. Me këtë akt Basha shpartallon kështu përfundimisht PD-në në stukturën e saj elektorale. Për Bashën nuk ka shumë rëndësi nëse humbet apo fiton Kavajën, por dorëzimi pa kushte për shkak të humbjeve të njëpasnjëshme, e kanë bindur atë se nuk ia vlen të bësh më garë.
Kështu në Kavajë në vend të PD kanë shanse të rriten ndjeshëm LSI e PDIU, duke zgjeruar bazën e tyre elektorale në kurriz të saj.
Paraliza kombëtare që ka pësuar kjo parti, pas vendimit për bojkot dhe paqartësia me të cilën kryetarët lokalë janë të rrethuar nga mungesa e komunikimit politik, po e kthejnë PD nga një forcë elektorale kombëtare në një OJQ që merret me kauza të shpikura. Partitë janë të dobishme se luftojnë dhe votohen dhe nuk janë çadra seminaresh politike e propogandistike. Nëse Basha e lëshon PD, kështu siç e ka lëshuar në rënie të lirë, atij pas ca kohësh mund ti japësh qeveri teknike, ose politike si të dojë ai, ta vësh ti numurojë dhe vetë votat dhe të humbasë.
Në perspektivë ai po e shndërron PD, një forcë pa të ardhme që do të jetë përjetësisht e varur nga uniteti i së majtës, duke shpresuar ose tek ndonjë koalicion i madh me PS, ose tek një aleancë me LSI, por kurrë tek besimi që mund t’ia dalë vetë.
Retorika e Bashës që do marrë pjesë në zgjedhje pasi do nënshtrojë Edi Ramën, duket se është ose një mashtrim, ose një papërgjegjësi e madhe, pasi ai nuk po bën asgjë që të marrë pjesë në zgjedhje, pavarësisht shanseve për zgjidhjen e krizës. Nëse është duke mashtruar të huajt dhe duke mos demoralizuar të vetët, që mund ti ikin dhe çadra do zbulohet shpejt, nëse kjo çadër shërben vetëm për të mbuluar pafuqinë e tij. Por më e keqja është nëse detyrohet të marrë pjesë vërtetë në zgjedhje. Me këtë papërgjegjësi me të cilën po ecën drejt zgjedhjeve, ai është duke përgatitur PD-në për ta shpërbërë atë pa u kuptuar./TemA
Diskutime rreth kësaj post