Anëtari i kryesisë së PD-së, Enno Bozdo i ftuar në rubrikën “Opinion” akuzoi qeverinë Rama se gjatë 6 muajve të pandemisë nuk ka ndjekur asnjë strategji të mirëorganizuar për luftën kundër COVID-19.
Bozdo gjithashtu komentoi edhe zërat që përflasin për një mbylle të dytë më muajin shtator. Sipas tij nuk dihet si do të shkojë fati bizneseve, apo nuk dihet as sesi do të injektohet në ekonomi borxhi që qeveria ka marrë.
“Në kohën e karantinës PD kërkonte strategjinë për përballimin e virusit nga qeveria. Na u tha se ka strategji dhe skenarë por asgjë konkrete. Kur kanë kaluar 6 muaj shikojmë me trishtim që të infektuarit, por edhe humbjet e jetëve janë shtuar. Qeveria ka hequr dorë edhe nga menaxhimi. Vdekjet për milionë banorë më të larta se Spanja dhe Italia. Nuk dimë si do përballemi me vjeshtën, që shtohet edhe gripi i zakonshëm.
Para 5 ditësh qeveria pagoi 5 mln euro për inceneratorin e Tiranës që praktikisht nuk ekziston në vend që t’i çonte për Shëndetësisë. S’ka mbetur gjë tjetër veçse të ngremë duart lart. Qeveria e fundit në botë për ndihmën që ka dhënë për biznesin. Është diku te 110 mln euro, ndërkohë që vetëm borxh ka marrë 1,1 mld euro. Nuk dimë si do të injektohen dhe ku do të injektohen. Po artikulohet mundësia për një bllokim të dytë në shtator. Është gati ironike për tregon gjendjen e kësaj qeverie”, – tha Bozdo.
Sipas tij, “Ne do dalim nga kriza kur i gjithë rajoni të dalë nga kriza. Skenari duket se vendet e tjera do dalin para nesh nga kriza, do kapin edhe tregjat e lëna bosh prej nesh”.
Sa për situatën politike, Bozdo tha se opozita do vijojë aksionin e saj në shtator. Ai tha se ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës janë një ngjarje shumë e rëndë, por shtoi se pret zbatimin e marrëveshjes së 5 qershorit.
“Këshilli Politik mblidhet në javën e dytë të shtatorit. Ne do përballemi dhe do shikojmë vërtet ku ndodhemi. Ndryshimi njëanshëm i kushtetutës është një nga ngjarjet më të rënda në 30 vite. Shqipëria është bërë njësoj si Rusia që ndryshon kushtetutën në kohë pandemie. Ky është rekordi i zi i kësaj mazhorance. Marrëveshja e 5 qershorit detyron qeverinë që ndryshimet nëse do ketë të tilla të shkojnë me dakordësinë e të dyja palëve. Pritet të shohim tani çdo ndodh”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post