Qeveria shqiptare dhe ambasada amerikane po përplasen lidhur me çështjen e zgjedhjes së kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim kanë replikuar në distancë me njëri-tjetrin lidhur me pasuesin e Arben Krajës në krye të SPAK-ut. Replikat janë shkëmbyer në rrjetet sociale, teksa Rama i tregoi Kim se as ai, as ambasadorja në fjalë dhe as opozita nuk mund të zgjedhin drejtuesin e ri të organit më të lartë akuzës në vend, por është kompetencë e vetme e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Rama iu përgjigj në këtë mënyrë komenteve të diplomates amerikane në vendin tonë, e cila këmbënguli që kryetari i ri i SPAK-ut s’duhet të zgjidhet në asnjë mënyrë nën presionet e personave që duan të pengojnë drejtësinë, duke aluduar kështu dhe për politikanë të ndryshëm e qeverinë. Pavarësisht se palët para dy ditësh janë munduar të shfaqin mirëkuptim midis tyre, në të vërtetë mosmarrëveshjet qeveri-ambasadë po thellohen me kalimin e ditëve.
Kim në KLGJ: Drejtësia ka dhënë vendime të papranueshme, koha për hapin e radhës
Para 3 ditësh, gjatë një aktiviteti të Këshillit të Lartë Gjyqësor, ambasadorja amerikane Yuri Kim deklaroi se vendi ynë duhet të bëhet gati për të hedhur hapin e ri drejt përmirësimit dhe reformimit të sistemit të drejtësisë në vend. Ajo theksoi se drejtësia ka dhënë shumë vendime të papranueshme në Shqipëri për shkak të ndërlidhjes së politikës me të. Sipas përfaqësueses amerikane në Shqipëri, duhet të marrë fund ndërhyrjet jashtë drejtësisë për zgjedhjen e zyrtarëve dhe drejtuesve të institucioneve juridike. “Është një sfidë e madhe. Jo se Shqipëria është veçanërisht e keqe, veçanërisht e korruptuar. Kjo nuk qëndron. Mjaft kohë ka kaluar duhet të japim drejtësi për njerëzit, duhet te gjejmë një rrugë. E di që qytetarët shqiptarë ashtu dhe ata të SHBA mezi presin të shohin gjykatat më të mbushura, me gjyqtarët që janë të trajnuar, të paanshëm, të zotët dhe me vullnet për të dhënë drejtësi, jo hakmarrje, drejtësi! Është një vend i vogël, të gjithë njohin gjithkënd. Vendimet rreth drejtësisë ndikojnë tek të gjithë në mënyra, që ndonjëherë nuk duam ta pranojmë. Vendimet se kush duhet të jetë në një pozicion apo tjetër, kush do jete drejtuesi i njërit institucion apo një tjetri, në një farë mënyrë janë të ndërlidhura. Por, është koha të themi që Shqipëria është gati për hapin tjetër”, tha Yuri Kim para 3 ditësh.
Rama-Kim: Kryetarin e ri të SPAK nuk e zgjedh as qeveria, as ambasada
Më pas, kryeministri Edi Rama iu përgjigj komenteve të përfaqësues diplomatike të Uashingtonit në Shqipëri lidhur me procesin e përzgjedhjes së kreut të ri të SPAK-ut, i dyti në historinë e vet. Ai i kujtoi Kim se askush përveç KLP s’mund ta votojë kryetarin e ri të SPAK-ut, duke aluduar se nuk do të pranohet asnjë ndërhyrje nga ambasadorja amerikane në përcaktimin e zyrtarit të ri të lartë të drejtësisë në Shqipëri. Nga ana tjetër, Rama u bëri thirrje anëtarëve të KLP që të bëjnë detyrën profesionale për votimin e pasuesit të Arben Krajës në krye të SPAK-ut. “Jam plotësisht dakord me Ambasadën Amerikane dhe boll me thashethemet e katundit politik e mediatik! Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorjavulorjafallgjorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet! Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve,të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”, shkruan Edi Rama.
Përplasjet Kim-Rama, nga shkarkimi i Gledis Nanos deri te “pasaportat e arta”
Për mandatin e ardhshëm 3-vjeçar në krye të institucionit më të lartë të hetimeve ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, KLP ka përzgjedhur si kandidatura Adnan Xholin, Edvin Kondilin dhe Altin Dumanin. Duke qenë një organ me mjaft peshë në vend, ai nuk po u shpëton dot presioneve të mëdha politike nga qeveria dhe ambasada. Gazeta “SOT” mësoi se kryeministri Edi Rama preferon që Edvin Kondili të vendoset në krye SPAK-ut, ndërsa ambasadorja Yuri Kim kërkon që Altin Dumani të pasojë Arben Krajën. Marrëdhëniet mes qeverisë e SHBA janë ndërlikuar që prej verës kur ministri i Brendshëm Bledi Çuçi shkarkoi nga posti i Drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, pas përkeqësimit të rendit dhe sigurisë në vend. Nano u soll në krye të këtij institucioni si i promovuar nga SHBA për angazhimin e tij në luftën kundër terrorizmit. Shkarkimi i tij solli përplasje në heshtje mes Ramës dhe Kim. Më pas, kontradiktat janë shtuar lidhur me amnistinë fiskale dhe “pasaportat e arta”, dy projektligje që qeveria kërkon me çdo kusht t’i miratojë, por SHBA dhe BE i kanë konsideruar si “çelësa” të hapjes së fluksit të parave të pista në Shqipëri.
Diskutime rreth kësaj post