Projekti për të rihapur bastet dhe krijuar monopolin e lojërave të fatit ka hasur kundërshti brenda socialistëve. Ligji është diskutuar dje në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, por nuk ka kaluar ashtu sikundër pritej nga grupet e interesit. Kuvendi ka kërkuar rishikimin e tij.
Ligji nuk është në nivelin e sfidës për ta menaxhuar tregun, prandaj duhet një ligj më i plotë, u shpreh dje kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi.
“Duhet menjëherë të nisë puna që të jetë një ligj më i plotë, dhe duhet të bëhen më shumë ndryshime për të formalizuar tregun më mirë”, tha ai.
Deputetët kërkuan që procedura për licencimin për 10 vite të kalojë nëpër dy faza, duke përfshirë kritere pikëzimi dhe investimi. Një tjetër propozim i bërë nga komisioni është një sistem monitorimi për të shmangur manipulimin e platformave të basteve online.
“Rreziku më i madh vjen nga manipulimi i platformave dhe nga ndërhyrjet në koeficientet e lojërave. Duhet një sistem ku të lihet gjurmë për të gjitha transaksionet e bëra në kompanitë e lojërave të basteve sportive live. Sugjerohet që ky sistem të jetë i monitoruar në kohë reale në një platformë që do të sigurojë mosmanipulimin e tyre”, deklaruan deputetët.
Kazinot online ishin një tjetër problem që komisioni kërkoi të përfshihen në projektligj.
“Kazinot online nuk sigurojnë formalizimin e tregut dhe janë më së shumti në treg të zi, duke mos qenë konkurrente me kazinot fizike dhe nuk sigurojnë financat për buxhetin e shtetit”, u tha më tej. Ndërkohë deputeti socialist, Erion Braçe, propozoi dje që lojërat e fatit të jenë monopol i shtetit dhe jo i privatit, duke shprehur që ky projektligj nuk kontrollon tregun dhe e lë ato në dorën e krimit. “Ajo që propozohet është ta hapim. Unë mendoj se kemi bërë shumë mirë që i mbyllëm bastet. Ajo që nuk kemi bërë mirë është lufta kundër aktivitetit në të gjithë vendin. Duke e mbyllur këtë lloj aktiviteti, i dhamë dorë jo vetëm krimit të organizuar, por edhe punonjësve të policisë. Kjo ka bërë që të mos luftohet aktiviteti në të zi”, deklaroi ai.
Diskutime rreth kësaj post