Sherri mes PS dhe LSI ka arritur nivelet më të larta. Luan Rama, kreu i deputetëve të LSI dhe Taulant Balla, Nënkryetar i Grupit të PS, kanë shkëmbyer sot replika të ashpra.
Luan Rama ka reaguar në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama të bëra sot në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Rama pohoi se kryeministri dhe ministrat e tij, analizat e qeverisjes në këto 4 vite, duhet t’i bënin bashkë me LSI-në dhe jo sipas tij me eufori të njëanshme.
Teksa bëri një vlerësim për situatën aktuale dhe shkarkimin e 4 ministrave nga Rama pak kohë më parë, kreu i grupit parlamentar të LSI pohoi se Bledi Çuçi nuk duhej hequr nga posti i ministrit për Pushtetin Vendor.
“Retorika patetike e PPSH-se se 1989-es nuk na ndihmon për Shqipërinë Europiane. Analizën e qeverisjes duhet ta bëjmë sebashku jo me eufori dhe njëanshmëri. Për LSI-ne ministri me i suksesshme Blendi Cuci qe drejtoi reformën administrative. Bledi Cuci ministri me i suksesshëm, nuk duhej shkarkuar. Ne socialistet qe mbajmë mend Libofshem nuk mund t’ja leme kauzen e zgjedhjeve te lira çadrës se Saliut. Zgjedhjet e lira e pluraliste kauza jone e madhe”, tha Rama.
Pas prononcimit të kreut të grupit parlamentar të LSI-së, Luan Rama, vjen dhe reagimi për ‘Balkanweb’ nga deputeti socialist, Taulant Balla. Duke iu kundërpërgjigjur LSI-së, Balla pohoi se Edi Rama dhe as Ilir Meta nuk vijnë nga Partia e Punës e Shqipërisë, por nga lëvizja demokratike e ’90. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të selisë rozë pohoi se PS nuk ka përgojuar asnjëherë asnjë ministër që është pjesë e LSI-së.
“Miqesisht i them mikut tim Luan Rama ta lere retoriken e PPSH-se se vitit 1989 sepse as Edi Rama dhe as Ilir Meta nuk vijnë nga PPSH-ja e 1989-es, po vijne nga levizja demokratike per zgjedhje te lira ne vitin 1990. Miqesisht Luan miku im prej zgjedhjeve te vitit 1996, nuk te takon te besh analistin e Partisë Socialiste dhe as gazetarin me ministrat e Partisë Socialiste, se nuk shkon më me këto mistreclleqe mes nesh. Merr shembull nga Partia Socialiste e 2017-es qe ka kater vjet ne koalicion ne partine tende dhe kurre nuk i’a ka lejuar vetes qe te pergojoje ministrat e LSI. Gjej nje rast ku une si nenkryetar i Grupit Parlamentar te PS te kem pergojuar ndonje minister te LSI. Po keshtu asnje drejtues tjeter i PS.”, tha Balla.
Pas ‘këshillës’ që Balla i ka dhënë Ramës, ai sugjeroi se LSI ‘duhet ta lërë çadrën e PD-së në vetminë e madhe’. “Miqësisht miku im Luan, sa per zgjedhjet e lira dhe pluraliste, jam shume dakord me ty, te mos i’a lini as çadrës as Cim Pekes! Lëreni çadrën ne vetminë e madhe dhe te shkojmë tek populli per t’i dhene fund estradave te turpshme te Saliut me popullin shqiptar.”, përfundon reagimin Balla.
Diskutime rreth kësaj post