Tashmë është zyrtare: Partia Demokratike kandidon si deputet të Bashkisë Vorë pikërisht Fatmir Mediun, e akuzuar për shpërthimin e Gërdecit. Ngjarja e rëndë i mori jetën 26 personave në marsin e vitit 2008 ndërsa Mediu ishte ministër i Mbrojtjes.
Por ky vendim erdhi për dy arsye. Së pari kryebashkiaku i Vorës është krushku i Fatmir Mediut. Vajza e këtij të fundit ka marrë pikërisht për burrë pak kohë më parë djalin e Fiqiri Ismailit.
Burime nga fshati Domje, pjesë e Bashkisë Vorë, bëjnë të ditur se një takim me grup-seksionet e PD-së të enjten ka dështuar. Kanë qenë vetë demokratët që janë ngritur jo kundër kandidaturës së Fatmir Mediut sesa punëve të dobëta të Bashkisë.
Debati ka degjeneruar në akte dhune, ndërsa janë përzënë me forcë Fiqiri Ismaili, Fatmir Mediu si dhe shoqëruesit e tyre. Demokratët janë shprehur të zhgënjyer nga premtimet e Partisë Demokratike dhe u kanë kërkuar që të mos shkelin më në Domje.
Pas shpërthimit të Gërdecit, qeveria Berisha si dhe kreu i Bashkisë së Vorës kanë dëmshpërblyer banorët më shumë sesa u takonte për dëmet materiale kryesisht të shtëpive. Kjo jo vetëm për t’u mbyllur gojën, por edhe për t’i blerë për zgjedhjet nga viti 2008 e në vazhdim.
Por duket se vetë demokratët janë të irrituar me premtimet e çdo fushate nga ana e PD që edhe pse kontrollon pushtetin lokal në zonë, u premton të njëjtat gjëra çdo dy vite që ka zgjedhje vendore apo të përgjithshme. / Lajme.al
Diskutime rreth kësaj post