Pasi e shkatërroi ekonominë turke dhe e varfëroi klasën e mesme të cilën e kishte pasuruar ai vetë, presidenti Recep Tayyip Erdogan po e tërheq tani vendin e tij drejt një lufte të panevojshme dhe po i përdor gjykatat kundër rivalëve të tij politikë.
Kjo është një përpjekje e pamëshirshme e Erdogan për të mbetur në pushtet edhe pas zgjedhjeve në mesin e këtij viti, që përkon me 100 vjetorin e Republikës Turke.
Le të shpresojmë që ai të dështojë. Zgjedhjet presidenciale turke, që janë planifikuar të mbahen më 23 qershor, janë pa asnjë dyshim procesi zgjedhor më i rëndësishëm në botë
për vitin që sapo ka hyrë. Ato do të përcaktojnë nëse kombi prej 85 milionë banorësh, i pozicionuar midis Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme, do të vazhdojë të ecë në rrugën drejt të qenit një fuqi autoritare, ekspansioniste, apo nëse do të zgjedhë një rrugë më liberale dhe pluraliste.
Për herë të parë që nga ngjitja në pushtet e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Erdogan në vitin 2002, ekziston një perspektivë serioze për rotacion politik. Inflacioni po shkon në mbi 80 për qind në vit, lira turke është zhvlerësuar ndjeshëm kundrejt dollarit amerikan, dhe popullariteti i qeverisë është në pikiatë pas shtimit të vështirësive
ekonomike.
Sipas sondazheve, Erdogan – që ka qeverisur me një dorë gjithnjë e më autokratike pas ndryshimit të kushtetutës për krijimin e një sistem presidencial të personalizuar – është në telashe politike serioze, pasi AKP-ja mezi po arrin të marrë një mbështetje prej 30 për qind.
Natyrisht, përgjigja e tij ka qenë tipike brutale, si në frontin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Pavarësisht kundërshtimeve si nga Uashingtoni ashtu edhe nga Moska, Erdogan ka lajmëruar vazhdimisht mbi përgatitjet për të dërguar tanket në Siri, me synim dëbimin e milicive kurde, që janë aleate me Perëndimin në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik, por të cilat Ankaraja e sheh si të lidhura me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
Ai duket i vendosur në krijimin e një zone tampon në anën tjetër të kufirit jugor të Turqisë. Ndërkohë, presidenti turk po kërcënon të sulmojë Greqinë, aleatin e NATO-s, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi shpimet në det për gaz, Qipros dhe “militarizimit” të ishujve grekënnë detin Egje, ndonëse kostoja ekonomike dhe politike ndërkombëtare e çdo veprimi të tillë, i zbeh shanset e ndodhjes së këtyre ngjarjeve.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Erdogan e ka pozicionuar Turqinë si ndërmjetësen e domosdoshme midis Moskës dhe Kievit, duke ndihmuar arritjen e disa marrëveshjeve dhe pritur bisedimet midis krerëve të sigurisë amerikane dhe ruse.
Po ashtu ajo ka arritur të mbështesë Ukrainën – përfshirë shitjet e dronëve ushtarakë – duke ruajtur në të njëjtën kohë lidhjet tregtare dhe energjetike me Rusinë, pa rrezikuar raportet e
tij personale me presidentin Vladimir Putin dhe pa shkaktuar zemërimin e Perëndimit.
Ndërkohë presidenti turk ka përdorur një sistem drejtësie jo shumë të shquar për pavarësinë e tij, për të skualifikuar nga gara sfidantët e tij të mundshëm më të fuqishëm. Kryetari i Bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoğlu – një figurë popullore nga Partia Popullore Republikane e qendrës së majtë (CHP), që mund të jetë një kandidat unifikues i opozitës – sapo është dënuar me mbi 2 vjet burg, dhe është ndaluar të mbajë poste publike për shkak
të “fyerjes publike të zyrtarëve shtetërorë”.
Ndërkohë, mbi 100 politikanë nga partia kryesore pro-kurde, Partia Popullore Demokratike (HDP) janë në procese gjyqësore me akuzat për terrorizëm, të cilat mund të çojnë në nxjerrjen jashtë ligjit të kësaj force politike. HDP nuk është pjesë e aleancës opozitare prej 6 partish.
Megjithatë, ajo mund të jetë përcaktuese, nëse siç e sugjerojnë sondazhet, as AKP dhe as opozita nuk do të fitojnë shumicën në parlament. Erdogan, ishte vetë kryetar bashkie i Stambollit, dhe ka përjetuar një kalvar të ngjashme me drejtësinë përpara se AKP të triumfonte në zgjedhjet e vitit 2002.
I dënuar me 1 vit burg për leximin e një poezie islamike, atij iu ndalua të kandidonte për poste publike, dhe u detyrua të priste disa vite përpara se të bëhej kryeministër. Por mbetet për t’u parë se sa larg është gati të shkojë këtë herë në përpjekjen e tij për të mbetur në pushtet.
Në 20 vite, Erdogan ka kaluar nga politika e “zero problemeve me fqinjët” në konflikte
të hapura ose të fshehta me Sirinë, Greqinë, Izraelin, Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Armeninë. Megjithatë muajt e fundit, ai ka filluar një lloj afrimi me disa nga këta kundërshtarë, pjesërisht sepse dështimi i kryengritjeve të Pranverës Arabe të mbështetur nga Turqia, e ka detyruar atë të rregullojë politikën e tij të jashtme.
Por edhe sepse ka dëshpërimisht nevojë për kapitalin arab dhe perëndimor për të mbështetur ekonominë vendase, të rrënuar nga politika e tij e pamatur e normave të ulëta të interesit. Teksa opinioni publik në Turq është shumë nacionalist, një sulm tokësor në Siri që do të shkaktonte reagimin e SHBA-së ose Rusisë, duke e detyruar Ankaranë të tërhiqej, mund të rezultojë një bumerang për të.
Po i tillë mund të jetë edhe përdorimi i i gjyqësorit, si një mjet për ta mënjanuar opozitën nga një përballje e ndershme në zgjedhje. Nga ana tjetër, një operacion i kufizuar ndërkufitar me shumë pak viktima nga pala turke, mund të jetë i pranueshëm për votuesit.
Muajt e ardhshëm, do të jenë të mbushur me gjeste luftarake në funksion edhe të 100 vjetorit të themelimit nga Mustafa Kemal Ataturk të një republike moderne dhe laike mbi rrënojat e Perandorisë Osmane. Erdogan do të dëshirojë ta projektojë fuqinë e rivendosur të Turqisë në një botë shumëpolare, ku fuqitë e mesme mund të kenë më shumë ndikim, pasi SHBA-ja dhe Rusia janë më pak të gatshme, ose më pak në gjendje të veprojnë si xhandarë globalë.
Por pas ndërhyrjeve në Libi, dhe në mbështetje të Azerbajxhanit kundër Armenisë, ai mund
të anulojë nisjen e një sulmi tokësor në Siri, në rast se fuqitë e mëdha do të vazhdojnë te jenë kundër. Mjerisht BE-ja ka të ngjarë të jetë më shumë vëzhguese, dhe jo një forcë ndikuese për moderim ose ndryshim.
Unioni është partneri më i madh tregtar i Turqisë, por ai e ka humbur ndikimin e vet në Ankara, pasi procesi i ngecur prej kohësh i anëtarësimit të vendit në BE, është duke e humbur çdo lloj domethënie, dhe Brukseli duhet ta paguajë rregullisht Turqinë për të mbajtur gati 4 milionë refugjatë sirianë në territorin e saj, në vend se t’i lërë që të vërshojnë në Greqi.
Nuk ka asnjë dyshim se Perëndimi do të merrte frymë i lehtësuar nëse Erdogan i humbet zgjedhjet. Por qeveritë po mbrojnë bastet e tyre, duke i mbajtur të hapura linjat e komunikimit me liderin autoritar në Bosfor, dhe duke ofruar pak ndihmë publike për opozitën, edhe pse në heshtje ato luten që nga zgjedhjet e qershorit të dalë një Turqi më e moderuar dhe properëndimore. Të gjithë po kryqëzojnë gishtat./albeu.com
Diskutime rreth kësaj post