Pas divorcit, burri plagos me armë zjarri prindërit e ish-bashkëshortes së tij.
Ngjarja ndodhi mbrëmë në Ballsh, ndërsa të plagosurit Edmond dhe Ludmilla Xhaferaj ndodhen në spitalin e Fierit në gjendje kritike për jetën, raporton “Panorama”.
Policia e Fierit bëri të ditur mbrëmë se shtetasi Lulëzim Sina ka shkuar në banesën e ish- vjehrrit dhe ish-vjehrrës së tij, duke i qëlluar ata me armë zjarri. Për pasojë, gruaja ka marrë dy plumba dhe burri 3 plumba në trup.
“Rreth orës 20:40, në lagjen ‘5 Shkurti’ Ballsh, brenda në banesë janë plagosur me armë zjarri bashkëshortët E.Xh., 53 vjeç, dhe L.Xh., 52 vjeçe, të cilët ndodhen në sallën e kirurgjisë së spitalit Fier. Nga hetimet e policisë rezulton se autor i dyshuar i ngjarjes është ishdhëndri, shtetasi L.S., 35 vjeç, banues në Dukas, Patos.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, gjithashtu është organizuar puna për kapjen e autorit”, bëri të ditur mbrëmë Policia e Fierit.
Sipas të dhënave paraprake, 35-vjeçari Lulëzim Sina kishte jetuar me bashkëshorten e tij prej disa kohësh (5 vite) në Amerikë. Por para rreth 1 viti e gjysmë, çifti është kthyer për të mos u larguar më. Nuk ka të dhëna për motivin e rikthimit nga Amerika, por dyshohet se ata kanë pasur probleme në dokumentacion, ndonëse siç mësohet janë larguar nëpërmjet lotarisë.
Pas kthimit, mes tyre kanë nisur edhe konfliktet e mosmarrëveshjet që çuan në divorc. Prej asaj kohe, sipas burimeve të Policisë, dhëndri kishte akuzuar prindërit e ishbashkëshortes si shkaktarët që kishin bindur të bijën për t’i dhënë fund martesës.
Mbrëmë dyshohet se ai ka qenë në gjendje të dehur kur ka trokitur në derën e banesës së ishvjehrrit të tij. Siç mësohet, fillimisht mes tyre ka pasur një debat dhe pastaj 35-vjeçari ka nxjerrë armën duke qëlluar fillimisht ish-vjehrrin e tij, e më pas edhe bashkëshorten e këtij të fundit.
Fatmirësisht plumbave u ka shpëtuar ishbashkëshortja, e cila ka dhënë alarmin duke kërkuar ndihmën e fqinjëve për transportimin e prindërve të saj drejt spitalit. Pas ngjarjes mësohet se ajo është marrë në pyetje, por hetimorët nuk dhanë shumë detaje për shkak të specifikës familjare të çështjes.
Sipas të dhënave, çifti i plagosur mbrëmë është me origjinë nga Kalivaçi i Tepelenës. Ata i janë nënshtruar mbrëmë ndërhyrjes kirurgjikale, por mjekët thanë se gjendja e tyre është mjaft e rëndë dhe ende nuk mund të flitet nëse ata janë jashtë rrezikut për jetën. Policia ndërkaq nisi hetimet dhe kërkimet për autorin që u identifikua menjëherë pas krimit.
Ai është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa sipas të dhënave paraprake dyshohet se ai ka qenë në gjendje të dehur në momentin kur ka mbërritur në banesën e prindërve të ish-bashkëshortes së tij. Kjo e fundit ishte zhvendosur te prindit e saj menjëherë pas divorcit me të shoqin. Mësohet se çifti i divorcuar nuk kishte fëmijë.
Diskutime rreth kësaj post