Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta bëri me dije se PL do të nisë në ditët në vijim procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për Këshillat Bashkiakë për zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Në një konferencë për shtyp, Meta u shpreh se objektiv kryesor i këtij procesi është rikthimi i llogaridhënies në çdo Bashki të vendit. Sipas tij socialisët janë në pikun e humbjes, ndërsa opozita do të njohë rezultat spektakolar në këto zgjedhje.
“14 Maji është dita e fundit e monizmit në qeverisjen vendore dhe dita e parë e kthimit të bashkive në duart e qytetarëve. Rikthimi i llogaridhënies në çdo bashki të vendit është objektiv kryesor i nesër. Prandaj dhe mbledhjet e sotme dhe nesërme janë të rëndësishme për të përcaktuar kriteret për zgjedhjet e njerëzve me integritet për të përfaqësuar qytetarët në këshillat bashkiakë të vendit.
Unë besoj se të gjithë ne do të jemi të përgjegjshëm për të zgjedhur ata njerëz të devotshëm, të përkushtuar ndaj komunitetit të cilët do i kthejnë në vepra konkrete të gjitha kauzat e Partisë së Lirisë dhe do të mbrojnë të drejtat e nëpërkëmbura të qytetarëve”, u shpreh Meta.
Ai theksoi se taksat e qytetarëve shpërdorohen nga Rilindja, ndërsa shtoi se 14 Maji do të sjellë një frymëmarrje të re duke garantuar një fitore spektakolare për opozitën.
“Apo keni parë se si shpërdorohen taksat e tyre që vetëm janë rritur gjatë gjithë këtyre viteve në projekte të cilat kurrë nuk realizohen. 14 maji do të jetë një frymëmarrje e re. Edhe njëherë tjetër dua t’ju falenderoj për bashkëpunimin tuaj dhe jam i sigurt që në ditët në vazhdim, ky intensitet komunikimi me qytetarët do të na çojë drejt atij rezultati spektakolar që do të arrijë opozita më 14 Maj.
Sirenave të bashkëpunimit do i përgjigjemi me optimizmin e popullit. Ata janë në panikun e humbjes që i pret dhe çdo provokim ndaj opozitës i bën edhe më të pashpresë. Edhe vetë socialistët e kanë kuptuar që me Edi Ramën edhe vatrat e socialistëve zbrazen çdo ditë. Vetëm një pakicë e pashpirt që nuk njeh kushtetutë dhe nuk njeh ligj ka përfituar në kurriz të shumicës dërrmuese të qytetarëve”, tha ish-presidenti Meta.
Diskutime rreth kësaj post