Nga Ben Andoni
Shqipëria është gdhirë disi e çliruar pas asaj maratone fushate zgjedhore, që sfilit njerëzit dhe që mobilizon zakonisht energji dhe përcjell ankth të madh mes publikut për të ardhmen. Fakti se kemi arritur në limit të procesit të votimit në vetvete, numërimit e pastaj certifikimit është disi qetësues kur mendon atë lodhje masive të njerëzve në fushatë, zhurmën dhe premtimet fluturake të partive politike shqiptare.
Përmirësimi i regjive televizive që merren me fushatat politike, propaganda e kampeve politike, mungesa e programeve partiake e ka bërë një masë të madhe të popullit që të jetë shumë skeptike për vetë thelbin e zgjedhjeve. Ndërsa në votimet e shkuara votuan 53% e popullsisë, duket se të gjithë njerëzit e menaxhimit të procesit të zgjedhjeve po luten, që të kalojë të paktën gjysma e përqindjes së komunitetit votues. Në raportet që ofroi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë se deri në orën 10, kishin votuar vetëm 13 për qind e shqiptarëve. Krejt ndryshe kur zgjedhjet e vitit 2013 në këtë orë referonin votimin e 24 për qind.
A do të vazhdojë ky trend?! Është e dukshme se njerëzit paçka interesit të madh për reformat, ndryshimet, nuk e shikon veten shumë të përfaqësuar në politikën e ditës. Pa i ndarë partitë nga njëra-tjetra, problemi më i madh i publikut lidhet me perceptimin e vetë lidërshipeve të këtyre partive sa i përket vullnetit të popullit. Për hir të së vërtetës, për emrat e kandidatëve të përfshira në listat votuese jo vetëm nuk janë vendosur njerëz me qasjet e duhura në formacionet politike, por listat kanë qenë kaq të fshehta saqë edhe vetë strukturat e partive e kanë pasur të pamundur të konsultohen apo të japin sugjerimet e tyre. Në një farë mënyre, kjo sjellje e lidërshipit dhe shpurës së tij ka bërë që shumë nga njerëzit t’i shohin shumë larg mandatarët e preferuar të kryetarëve me interesat e tyre reale.
Dihet tashmë se objektivi kryesor i zgjedhjeve të shkuara ose ajo që përbënte frymën ishte largimi i ish-kryeministrit z.Berisha. Publiku në masë e votoi të Majtën, duke e parë si zgjidhje ndaj problematikës së vendit, që kishte sjellë drejtimi i të Djathtës. Kurse në këto zgjedhje është kërkuar thjesht një mandat tjetër nga z.Rama, që të përcjellë më tej reformat por edhe një nën-kërkesë për të shmangur LSI-në e Ilir Metës. Për këtë të fundit, duket se ka qenë edhe mirëkuptimi i PD-së, që ka ndihur shumë me dikasteret që po drejton në legjislativ për të penguar dhe paditur LSI-në. Vetë PD-ja vetëm në ditët e fundit përveç kauzës së saj të zbehtë për një Republikë të Re ka sulmuar paaftësinë e kryeministrit Rama për të qeverisur vendin. Kauza e Republikës së Re për shqiptarët është më e dobët sesa ajo e kryeministrit aktual, që pretendon të reformojë administratën dhe po ashtu të vazhdojë reformat e nisura.
Gjithsesi pjesëmarrja kombëtare e votimeve pas orës shtatë të mbrëmjes, kur mbyllen zgjedhjet, do të tregojë realisht sesa politika shqiptare është e besueshme për publikun. Shqipëria ka një specifikë, të ngjashme me vendet në zhvillim, që një pjesë e votuesve gjenden jashtë vendit. Në listat e zgjedhësve në Shqipëri gjenden rreth 3.45 milionë votues, porse një pjesë e madhe e popullsisë gjenden në vende të largëta në diasporë, në vendet fqinjë dhe zakonisht e kanë të pamundur ardhjen, gjë që ndikon në pjesëmarrje, përveç një mase të madhe të njerëzve që tashmë nuk i bën më asnjë përshtypje rotacioni politik. (JavaNews)
Diskutime rreth kësaj post