Deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu ka rrëfyer ngjarjen e sotme ku ai u përfshi në një aksident rrugor në Pukë.
Ndreu, për të cilin është aksidenti i dytë brenda disa muajsh, tregon se ishte ai fajtor pavarësisht se punonjësit e Policisë kanë dashur të penalizojnë qytetarin e përfshirë në aksident.
Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, deputeti i aksidentuar sot, Pjerin Ndreu ka rikonfirmuar se është mirë, por gjithashtu ka marrë edhe përgjegjësinë e aksidentit.
Statusi i deputetit Pjerin Ndreu
Jeta është dinamike. Ka të mirat e të këqijat e saj. Ne jemi aktorë seriozë ku patjetër i bindemi ligjeve të natyrës, fatit apo vullnetit të Zotit. Kur ke faj ti rri e qëndro!
Unë sot isha fajtor në një përplasje makinash në Rrapë të Pukës, që falë Zotit shkoi pa pasoja në njerëz. Qytetari që u përplas me mua nuk kishte asnjë faj.
Policët ishin me stres por unë u thashë se faji ishte i imi dhe të mos abuzojë askush me të drejtën e Zotit. Pagova gjobën për shkeljen. Mund edhe t’i shmangesha fajit, por nuk kisha kurajë të penalizoja një të pambrojtur sepse isha unë fajtor…
I falënderoj të gjithë ato që mu gjendën pranë duke më kujtuar për të njëmijtën herë se nuk jam vetëm dhe se miqtë, shokët, kushërinjtë e familja dhe njerëzit e zemrës janë oksigjeni ku unë gjej forcë e me duket vetja asgjë para tyre!
Diskutime rreth kësaj post