Projekti i transformimit të Piramidës së Tiranës ka marrë një tjetër çmim prestigjoz nga juria e WAN Awards EMEA. Juria e cilëson Piramidën e transformuar “një ‘projekt të guximshëm’, të hapur për publikun, i rrethuar nga një ansambël kutish shumëngjyrëshe, të shpërndara brenda dhe përreth ndërtesës origjinale”.
Ndërkohë, arkitektja e njohur Eva Jiricna, kryetare e jurisë së “WAN Awards EMEA” është shprehur për projektin: “Si e lindur në një vend, i cili ka kaluar përmes ngjarjeve të ngjashme historike dhe si dëshmitare e përplasjeve sa herë bëhet fjalë për trajtimin e ndërtesave të braktisura nga regjimi i mëparshëm, të urryera për disa dhe të admiruara për ca të tjerë, përgjigja është ta marrësh pak me humor. [Për Piramidën] …nuk ka më urrejtje, ka vetëm një zgjidhje zbavitëse, e dobishme, e nevojshme për jetën bashkëkohore, dhe shumë mirë e përdorshme nga kushdo (qoftë nga ata që e kujtojnë se çfarë simbolizonte ajo, qoftë nga ata që nuk duan t’ia dinë fare për të). Ju lumtë projektuesve për këtë zgjidhje kaq të mirë, për t’i treguar publikut se pak humor mund të shërojë edhe plagët më të thella.”
Artikulli i plotë:
PIRAMIDA, godina e transformuar duke përdorur humorin për të shëruar plagët më të thella.
Fillimisht i ndërtuar si një muze për diktatorin komunist Enver Hoxha, MRDV ka ripërdorur strukturën e betonit për ta transformuar tërësisht Piramidën e Tiranës, në një skulpturë të hapur në një park të ri.
Juria e WAN Awards EMEA e përshkruan atë si një “projekt të guximshëm”, që “i afrohet publikut”. Parku dhe skulptura rrethohen nga një ansambël kutish shumëngjyrëshe, të shpërndara brenda dhe përreth ndërtesës origjinale, ku gjejnë hapësirë kafene, studio, ëorkshope, zyra për start-up, inkubatorë, festivale dhe klasa ku të rinjtë mund të mësojnë falas lëndë të ndryshme të teknologjisë së informacionit.
Në fasadat e pjerrëta janë shtuar shkallare, që u mundësojnë vizitorëve që të shkelin, në kuptimin e plotë të fjalës, mbi veprën e ish-diktatorit.
Mënyra se si është përdorur godina, që nga rënia e regjimit komunist, ka bërë që brendia e saj të mbetej për shumë kohë e rrëmujshme dhe errët. Shumica e shqiptarëve ishin kundër shembjes së godinës dhe dëshira e tyre u respektua, kur qeveria shpalli planin për ta transformuar monolitin e betonit. Për shumë vetë, Piramida është simbol i fitores kundër regjimit diktatorial dhe projekti i ri u frymëzua nga mënyra sesi qytetarët e kishin rimarrë ndërtesën.
Eva Jiricna, pjesë e jurisë së WAN Awards EMEA, u shpreh se projekti e bëri të buzëqeshë. Arkitektja veterane çeke tha: “Si e lindur në një vend, i cili ka kaluar përmes ngjarjeve të ngjashme historike dhe si dëshmitare e përplasjeve, kur bëhet fjalë për të trajtuar ndërtesat e braktisura nga regjimi i mëparshëm, të urryera për disa dhe të admiruara për të tjerët, përgjigja është ta marrësh pak me humor”.
Ajo shtoi: “Nuk ka më urrejtje, ka vetëm një zgjidhje zbavitëse, e dobishme, e nevojshme për jetën bashkëkohore dhe shumë mirë e përdorshme nga kushdo (nga ata që e kujtojnë se çfarë simbolizonte dhe nga ata që nuk duan t’ia dinë fare). Ju lumtë projektuesve për këtë zgjidhje kaq të mirë, për t’i mësuar publikut se pak humor mund të shërojë edhe plagët më të thella.”
Pikat kryesore të projektit
Transformimi i Piramidës tregon se si një ndërtesë mund të përshtatet për një “erë të re”, duke ruajtur historinë e saj komplekse. Në vend që struktura të shembej më kot, guacka e saj e fortë prej betoni është përshtatur sipas parimeve të “ekonomisë qarkulluese”. Fletë të mëdha xhami me nivele zëvendësojnë xhamat midis trarëve të betonit të Piramidës, duke mbrojtur brendinë nga shiu, ndërsa njëkohësisht e mbajnë atë të hapur ndaj elementëve të natyrës.
Diskutime rreth kësaj post