Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, departamenti kulturor i ambasadës ahqiptare në Berlin do të hapë në datat 18 -25 prill ekspozitën: “499 965” Familja Marubi, Pionierët e fotografisë shqiptare.
Kjo ekspozitë realizohet në kuadër të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunimin kulturor. Ekspozita, e para në llojin e saj në Berlin, në të cilën parashikohet të ekspozohen 35 fotografi me vlera historike, sociale kulturore dhe antropologjike, gjithashtu edhe foto të pazakonta me mesazhe të një natyre shkencore ose simbolike, do të tregojë fytyrën evropiane të Shqipërisë, e cila ka qenë kulturalisht dhe intelektualisht e lidhur me Evropën ndër shekuj. Objektivi i saj është të dëshmojë këtë fakt dhe gjithashtu të rregullojë imazhin stereotip të krijuar për shqiptarët në Gjermani lidhur me fluksin e tanishëm të refugjatëve.
Italiani Pietro Marubbi u largua nga vendi i tij për arsye politike. Ai erdhi së bashku me paisjet e tij fotografike dhe u vendos në veri të Shqipërisë duke ndërtuar kështu një perandori fotografike, e cila është një thesar unik për Shqipërinë.
500 000 imazhe të Shqipërisë së vjetër janë shkrepur në disa dekada. Pa këto dokumente historike, vështirë se do të dinim sot se si dukej Shqipëria në periudhën gjatë viteve 1858-1940.
Fotografi Pietro Marubbi ka bashkëpunuar me dy shqiptarë të rinj e të talentuar që e vazhduan punën edhe pas vdekjes së tij: Kel dhe Gegë Marubi të cilët arkivuan në studio, mbi tre breza të Shqipërisë, në shekullin XIX dhe XX. Këto ishin fotot e para në qytetin verior shqiptar të Shkodrës. Sot ajo studio fotografike është një muze që përmban një koleksion prej gjysëm milion fotosh.
Më 14 tetor 2015 mori jetë duke u publikuar online për publikun, Muzeu Virtual Marubi, i cili përfshin rreth 100.000 fotografi të shkrepura gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX-të dhe fillimit të shekullit XX-të. Ky projekt konsistoi në arkivimin, katalogimin dhe dixhitalizimin e arkivës fotografike të Fototekës Kombëtare Marubit, dhe krijimin e një faqe web për promovimin dhe prezantimin për vizitorët të cilët dëshirojnë për të zbuluar më shumë rreth identitetit kulturor dhe historisë së Shqipërisë, përmes përfshirjes në një udhëtim vizual të fotografive online. Deri më tani, projekti ka arritur të dixhitalizoj në rezolucion të lartë pjesën më të vjetër të arkivit, koleksionin e Dinastisë Marubi me rreth 100.000 fotografi, ndërkohë që procesi i arkivimit dhe katalogimi dixhital vazhdon.
Diskutime rreth kësaj post