Pavarësisht heqjes së barrikadave nga rrugët, dy pikat e kalimit kufitar që lidhin Kosovën me Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak nuk punojnë as këtë të diel. Autoritetet serbe e kanë justifikuar këtë me përgatitjet që po bëjnë për vendosjen e etiketave që do mbulojnë simbolet e targave të automjeteve, sipas marrëveshjes së arritur pak ditë më parë në Bruksel.
Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë ka njoftuar se puna në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak do të fillojë të hënën më 4 Tetor në orën 08:00, kur hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse për mbulimin e simboleve shtetërore.
Sipas kësaj zyre periudha deri në fillimin e zbatimit të pikës dy të marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave do të shfrytëzohet për përgatitjen e plotë operacionale dhe logjistike për aplikimin e regjimit të përkohshëm të targave.
Palët kanë rënë dakord që të zbatojnë këtë rregull deri në përcaktimin e një regjimi të përhershëm për targat mes të dyja vendeve që do vendoset gjatë diskutimeve që do të nisin në fund të Tetorit.
Ndërkohë, policët dhe doganierët serbë në pikat kufitare janë pajisur të dielën edhe me manualin se si duhet të mbulohen simbolet e Republikës së Kosovës në targa.
Të shtunën nisi zbatimi i pikës së parë të marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë që kishte të bënte me heqjen e barrikadave nga rrugët që të çojnë në pikat e kalimit kufitar dhe tërheqjen nga Kosova të forcave speciale dhe zëvendësimin e tyre me forca të KFOR-it.
Diskutime rreth kësaj post