Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me pezullimin e Vetting-ut dhe dërgimin e saj për opinion në Komisionin e Venecias, qartazi po del se ka qenë një vendim politik, me qëllimin e vetëm për të fituar sa më shumë kohë, për të ruajtur sa të jetë e mundur ndikimin e politikës mbi sistemin e drejtësisë, si dhe mosndëshkimin e kastës së gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë shkallmuar nga themeli konceptin e drejtësis dhe shtetin ligjorë në vend.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka përmbushur asnjë kusht të vendosur nga Gjykata e Drejtësisë së Komunitetit Europian, e cila ka përcaktuar kriteret që duhet të kenë parasysh gjykatat kombëtare nëse vendosin masën e pezullimit. Një gjykatë kombëtare, në gjykimin e pajtueshmërisë së normës kombëtare (kushtetutë apo ligj) me normën komunitare, mund të urdhërojë pezullimin në këto raste :
së pari, duhet të ketë një dyshim serioz në lidhje me vlefshmërinë e normës që do t’i nënshtrohet kontrollit; së dyti, duhet të ekzistojë një urgjencë; së treti, urgjenca duhet të jetë e tillë që të evitojë një dëm serioz dhe të pariparueshëm që mund t’i shkaktohet palës kërkuese të masës, së katërti, duhet të merret parasysh, në mënyrën e duhur, interesi i komunitetit.
Siç vihet re Gjykata Kushtetuese, në jurisprudencën e saj ka marr vendim për dhënien e një mase të përkohshme pezullimi:
1.pas një dyshimi të fortë për vlefshmërinë (kushtetutshmërinë) e normës së kundërshtuar, në prani të një urgjence,
2.për të shmangur një disavantazh të rëndë, tepër të vështirë e pothuajse të pamundur për t’u riparuar, që është në dëm të interesave të një, apo më shumë personave, dhe/ose veçanërisht të interesit të përgjithshëm publik (shtetëror),
3.duke vlerësuar me kujdes dhe vetë-përmbajte rastet kur implikohet një proces ligjbërës/ligjzbatues (me qëllim mospërfshirjen në lojërat e politikës),
4.duke peshuar mirë avantazhet dhe disavantazhet që do të vijnë si pasojë e dhënies së vendimit në dritën e një përfundimi të mundshëm të çështjes themelore.
Si përfundim asnjë prej këtyre kushteve nuk mendohet të jetë pasur në vëmendje në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për faktin e thjeshtë, sepse në rastin në shqyrtim, nuk ekziston ndonjë prej tyre. Kjo natyrisht do të kthjellohet sapo të publikohet edhe vendimi për pezullimin e ligjit të vetting.
Dokumenti i Venecias që rrëzon “alibinë” e Gjykatës Kushtetuese
Por edhe nëse nuk do të kiheshin parasysh këto elementë, qartazi Komisioni i Venecias me 12 mars 2016 është shprehur në mbështetje të ligjit për Vetting-un, ndaj është tërësisht e pakuptueshme se përse Gjykata Kushtetuese vendosi ta çojë edhe një herë për vlerësim Komisionit të Venecias ligjin në fjalë. Në dokumentin e dërguar nga Komisioni Venecias thuhet shqip fare se:
“54. Në lidhje me masat e jashtëzakonshme për të vlerësuar gjyqtarët dhe prokurorët, Komisioni i Venecias është i mendimit që këto masa jo vetëm që janë të justifikuara, por janë të nevojshme që Shqipëria të mbrohet nga korrupsioni, i cili, nëse nuk trajtohet, mund të shkatërrojë plotësisht sistemin gjyqësor.
55.Projekt ndryshimet e rishikuara marrin parasysh kritikat që ka bërë Komisioni në Opinionin e Ndërmjetëm. Varianti i ri i Aneksit është shkruar në mënyrë më të saktë dhe shumica e sugjerimeve të Komisionit të Venecias janë marrë parasysh. E gjithë skema është më e qartë dhe jep garanci më të mira për individët që mund të preken nga vlerësimi”.
Ndërsa në konkluzionet e bëra nga Komisioni i Venecias, po të dokumentit të 12 marsit 2016 thuhet e zeza mbi të bardhë se:
“86. Komisioni i Venecias përgëzon autoritetet shqiptare dhe sidomos ekspertët e Komisionit parlamentar ad hoc për punën që ka bërë në përgatitjen e reformës kushtetuese të gjyqësorit. Gatishmëria e tyre për të marrë parasysh rekomandimet e Opinionit të Ndërmjetëm meriton vlerësim të veçantë
87.Projekt ndryshimet kushtetuese përmbajnë propozime të qëndrueshme për strukturën e ardhshme institucionale të gjyqësorit shqiptar; teksti në tërësi është koherent dhe në përputhje me standardet evropiane. Komisioni i Venecias beson që projekt ndryshimet mund të finalizohen pa vonesë dhe t’i paraqiten për votim parlamentit”.
Ky është opinioni i Komisionit të Venecias për ligjin e Vetting-ut. Përgjigje që s’ka asnjë ekuivok. Ndaj është vërtetë i pakuptueshëm vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e vettingut dhe dërgimin e tij sërish në Komisionin e Venecias. E vetma gjë që kuptojmë është se vetë Gjykata Kushtetuese është e trembur në palcë nga Reforma në Drejtësi dhe thjeshtë bën përpjekje të dëshpëruara për të fituar sa më shumë kohë për të mbajtur në këmbë një sistem të degraduar e kriminal drejtësie.
E natyrisht pa mbështetje politike ajo smund ta merrte atë vendim që mori, duke dëshmuar se thjeshtë është një gjykatë politike, aspak kushtetuese dhe e painteresuar për të shembur sistemin kriminal të drejtësisë që është në këmbë./Javanws.al/
Diskutime rreth kësaj post