Lëvizja Socialiste për Integrim shprehet e bindur se raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it vërtetonte “masakrën zgjedhore” të 25 prillit të denoncuar nga partitë e opozitës. Përmes një statusi në rrjetet sociale, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili theksoi ditën e djeshme se zgjedhjet parlamentare të 25 prillit kanë rënë dhe se sipas tij, procesi duhet të ripërsëritet.
“Raporti final i OSBE-ODIHR i vë vulën masakrës zgjedhore të 25 prillit të shkaktuar nga qeveria! Raporti final vulos faktin se në 25 prill nuk pati zgjedhje, por një masakër zgjedhore ku qeveria: Bëri shitblerjen më kriminale të votave të parë ndonjëherë; Përdori pushtetin duke shpërdoruar në mënyrë kriminale të dhënat personale të qindra mijëra qytetarëve, të cilat janë tashmë në duart e krimit të organizuar dhe trafikantëve, duke tronditur rëndë sigurinë publike dhe atë personale të qytetarëve; Shpërdoroi pushtetin dhe administratën për presione mafioze mbi qytetarë dhe biznese, Përdori dhjetëra milionë euro dhe e gjithë administrata u përdor si detashment kriminal zgjedhor kundër qytetarëve; Media u zaptua kriminalisht nga qeveria për të mashtruar dhe dezinformuar qytetarët për qëllimet elektorale të rilindjes. Zgjedhjet e 25 prillit tashmë kanë rënë”, – shkruan ai.
Ndërkohë, deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili shkoi deri atje sa ftoi qytetarët shqiptarë të nisin betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Në pushtet janë banditët rilindas që grabitën në mënyrë mafioze votat. Ndaj beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme është dhe mbetet një betejë e shenjtë dhe pa asnjë kompromis për të shpëtuar të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë nga rrënimi rilindas”, – nënvizoi ai.
Nga ana tjetër, zoti Vasili i shoqëron pretendimet me disa citime, të cilat la të kuptohet se janë të shkëputura nga raporti përfundimtar i zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it.
Diskutime rreth kësaj post