Rreth 6 mijë nënshkrime janë siguruar nga organizatorët nëpërmjet peticionit që kanë filluar të enjten për të kërkuar drejtësi për vdekjen e Astrit Deharit.
Ky peticion i iniciuar nga shoqëria civile dhe në mbështetje të qytetarëve të shumtë, është organizuar më qëllim të zbardhjes së rrethanave të vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, i cili ndërroi jetë në rrethana ende të paqarta, në burgun e Prizrenit.
Saranda Sylejmani, njëra nga organizatorët e peticionit, ka thënë për “Zërin” se deri me tani janë mbledhur rreth 6 mijë nënshkrime. Ajo ka thënë se peticioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim edhe në Komunat tjera të Kosovës.
“Shume aktivistë, studentë dhe qytetarë të Prishtinës kanë treguar gatishmëri për të ndihmuar, duke u angazhuar gjatë tërë ditës në pikat tona. Gjithashtu peticioni do të fillojë të shtrihet edhe në komunat tjera të Kosovës dhe lidhur me ketë gjë ne apelojmë që qytetarët të dalin sa më shumë të nënshkruajnë me qëllim të vënies së drejtësisë në vend. Ne besojmë qe kërkesat tona do të realizohen, përndryshe nuk do ta ndërmerrnim ketë iniciativë”- ka thënë Sylejmani
Ndërsa Shkodran Hoti, nga Lëvizja “Vetëvendosje”, theksoi se edhe pse këto janë organizime nga shoqëria civile, VV-ja e përkrah fuqishëm, e sidomos kërkesën për dorëheqjen e dy ministrave, që siç thotë ai, kanë përgjegjësinë kryesore.
“Konsiderojmë se peticioni është mjet shumë i rëndësishëm në demokraci dhe si i tillë, do të duhej të mos injorohej. Ne jemi të vetëdijshëm se përballë kemi Qeveri antidemokratike dhe kjo do të duhej të jetë shkas që ne t’ju qëndrojmë edhe më fuqishëm kërkesave tona deri në ndërtimin e një shoqërie ku vendosen drejtësia e barazia”, ka deklaruar Hoti.
Diskutime rreth kësaj post