Anëtarja e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve për deputetë në Partinë Demokratike, Enriketa Papa ka komentuar se çfarë po ndodh tashmë në komisionin ku bën pjesë në përzgjedhjen e emrave që shihen të arsyeshme për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Papa tha se ky komision do të konstatojë tek emrat e propozuar nga anëtarësia kriteret që janë vendosur nga statuti, ndërsa një listë përzgjedhëse do ti dërgohet bazës për shqyrtim dhe miratim.
Ajo pohoi se nuk do të lihen jashtë listave kuotat e vendosura sa i përket përfaqësuesve të të rinjve, të ish-të përndjekurve, shoqërisë civile apo grave, ndërsa shtoi se gushti do të jetë një muaj impenjativ pasi në shtator është paramenduar që PD të dalë me listën e kandidatëve që do garojnë për deputetë.
“Është përpjekja e parë që bëhet në skenën politike të Shqipërisë por edhe të rajonit për të nxjerrë në pah figurat më të mira politike por edhe nga sfera akademike, shoqëria civile etj. Është ideja e parë për të nisur fushatën elektorale me një listë kandidatësh shumë të mirë. Grupi sot u mblodh për parashtrimin e punës, që është një punë e gjatë, janë mjaft emra të propozuar. Sot parashtruam ecurinë e përzgjedhjes së kandidaturave.
Ky do jetë një muaj impenjativ në filtrimin dhe seleksionimin e emrave, dhe në Shtator mendoj se PD do jetë gati për të paraqitur një listë dinjitoze të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme.”, tha Papa.
Diskutime rreth kësaj post