Kryeministri Edi Rama tha në çeljen e Pazarit të Ri se fuqia e votës ka sjellë ndryshimin në kryeqytet.
“Mund të shohim këtu se çfarë fuqie ka vota, çfarë fuqie ka pjesëmarrja e të gjithëve në procesin e qeverisjes së komunitetit duke bërë zgjedhjen e duhur. Parafytyroni si do ishte sot këtu sikur në vitin 2015 bashkia e Tiranës mos të ishte kthyer nga një konvikt me një dhomë të madhe gjumi ku gërhiste kryetari i bashkisë në një shtëpi të përbashkët të komunitetit ku mendohet ditë e natë për njerëzit për zonat për familjet për fëmijët e të moshuarit, ku përditë bëhen projektet e tranformimit të madh”, tha Rama.
Kryeministri foli dhe për protestën e opozitës, ku tha se tek çadrat e Pazarit të ri janë njerëz të zakonshëm që ushqejnë familjet me punën e tyre, ndërsa tek çadra e bulevardit u thonë hajdeni të “mbajmë në punë gjyqtarët e prokurorët e korruptuar”.
“Si është njësoj kjo çadër këtu me çadrën atje? Si janë njësoj? Ata njerëz të zakonshëm që janë këtu tani dhe që sot fillojnë punë për të ushqyer me punën e tyre të ndershme familjet e tyre, dhe ata të tjerët që janë disa qindra metra larg dhe u thonë të papunëve ajhdjeni me ne që të mbajmë nbë punë gjkatësit dhe prokurorët e korruptuar. Nuk është pushteti që shihni çdo ditë në televizor e nëpër studio e debate por është pushteti që e ka marrë zvarrë këtë popull dhe e ka bërë drejtësinë, pazarin e vjetër ku drejtësia nuk jepet sipas nevojës por shitet e blihet si peshku, si domatet etj”, vijoi Rama.
Ndërsa kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se projekti i Pazarit të ri tregon se asgjë nuk është e pamundur. Nga sot tha ai fillojnë punën 1007 të punësuar në 308 bizneset.
“Dhe ne besojme te një çadër e strehës dhe e punës. Kemi humbur shumë kohë me tollovi, sherre e fjalë. Ka ardhur koha ta çojmë Shqipërinë më lartë me njerëzit e punës dhe të bashkimit”, tha Veliaj.
Ai bëri të ditur dhe projektin e radhës, atë tek rruga “Kont Urani”, pas ministrisë së Arsimit.
Diskutime rreth kësaj post