Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka bërë të ditur në mbrëmjen e së hënës se është pamundësuar lëvizja e autobusëve dhe kamionëve nga Kosova për në Serbi, në pikëkalimet Jarinjë dhe Merdare.
Sipas faqes së Ministrisë së Punëve të Brendshme, pikëkalimi në Bërnjak është bllokuar plotësisht.
Bllokadat besohet se janë shkaktuar si pasojë e protestave që janë duke u mbajtur në territorin serb.
Sipas ministrisë, as kalimi i veturave nuk është i sigurt.
Ne disa akse rrugore janë vendosur edhe kamione për të bllokuar rrugët si shenjë revolte ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për të mos lejuar hyrjen e kamionëve me targa dhe mallra serbe në territorin e Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim, më 14 qershor, për të shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë.
Vendimi është marrë pas arrestimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga autoritetet e Serbisë.\
Autoritetet e Kosovës kanë thënë se bëhet fjalë për rrëmbimin e tyre në territorin e Kosovës, ndërsa Beogradi ka thënë se ata janë arrestuar në territorin serb.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë këtë javë në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, ka refuzuar të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ndërkaq ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit.
Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me situatën në veri:
NATO-ja vendosi trupa shtesë në Kosovë pas tensioneve që shpërthyen që më 26 maj në veri të Kosovës ku grupe protestuesish serbë dolën në rrugë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.
Komandanti i forcave të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, Angelo Michele Ristuccia, tha se forcat e tij janë të gatshme të përballen me çdo situatë nëse aktet e dhunës kërcënojnë paqen.
Të paktën 30 paqeruajtës të NATO-s u plagosën në përleshjet me protestuesit serbë në fund të majit.
Diskutime rreth kësaj post