Donald Trump bëri me Jerusalemin atë që ka treguar se di të bëjë më mirë: Të trondisë, të shokojë, të befasojë e në fund, të arrijë atë që do e të përmbushë ato që po dëshmon se i ka shumë për zemër: Premtimet e bëra popullit amerikan gjatë fushatës.
Vendimi për t’i dhënë fund politikës së neutralitetit dhe shfaqjes se Amerikës si ndërmjetësuese të besueshme në konfliktin e vjetër izraelito-palestineze, ishte e qartë se do të shkaktonte tërmet e ashtu ndodhi.
Lëvizja e presidentit amerikan, dërrmuese për procesin e brishtë të Paqes së shumëkërkuar, bëri që shumë të vinin në pyetje mënyrën e tij të arsyetuarit. Kori i kritikave bashkon zëra që nisin nga bota myslimane e deri tek OKB-ja; Një sondazh i realizuar nga New York Times me ish-ambasadorë amerikanë në Izrael të caktuar sa nga republikanët ashtu dhe nga demokratët tregoi se 9 në 11 prej tyre ishin totalisht kundër vendimit polemizues; po në Shtetet e Bashkuara mbi 100 studiues hebrenj dërguan të enjten një peticion ku e fshikullonin ashpër këtë lëvizje.
Megjithatë, disa ekspertë kanë kërkuar të gjejnë një shpjegim logjik e në funksion të kësaj evidentojnë dy elemente: Arsyen politike dhe faktorin psikologjik.
Për Martin Indyk, ish-i dërguar special i SHBA-së për negociatat izraelito-palestineze, motivi i një veprimi të tillë është i gjithi i brendshëm dhe lehtësisht i shpjegueshëm. Ishte një thirrje ndaj bazës së tij evangjelike të krishterë, thotë ai.
Steven Spiegel, i Universitetit të Kalifornisë këmbëngul se peshë kyçe në këtë vendim ka pasur dëshira e Trumpit për të kënaqur mbështetësit e tij të krishterë dhe ata hebrenj konservatore.
Faktori tjetër është prirja e manjatit për t’i shkundur gjerat, e kjo në vetvete nuk është gjë e keqe, vetëm se duhet të ndodhë atëherë kur dilet me një ide më të mirë se ekzistuesja e ky, sipas një pjese të analistëve, nuk është tamam rasti.
Diskutime rreth kësaj post