Ambasadorja Yuri Kim ka komentuar sot në një intervistë për ‘Top Channel’ edhe shpalljen ‘non-grata’ të ish-kryeministrit Sali Berisha nga SHBA.
-SHBA kanë pasur marrëdhënie të mira me thuajse të gjitha qeveritë shqiptare të partive të ndryshme, PD dhe PS. Ndërkohë, Sekretari i Shtetit ka deklaruar ish-Kryeministrin Sali Berisha non-grata, një figurë e rëndësishme dhe bashkëpunëtor i ngushtë juaji. Si e shpjegoni?
Ambasadorja Yuri Kim: Ne shohim faktet dhe nuk shohim partinë politike të dikujt. E di që ka disa teori konspirative sikur kjo vë në shënjestër një krah apo tjetrin. Do vija në dukje që deri më sot janë katër persona që janë shpallur nga Sekretari i Shtetit, besoj nga 2018. Dhe shumica e tyre nuk janë me Partinë Demokratike, pra, partia s’ka fare të bëjë me këtë. Ne shohim faktet; e gjitha kalon në një proces shumëvjeçar zakonisht, ku shqyrtojmë të gjithë informacionin. Vendimmarrësit bëjnë më shumë pyetje dhe në çastin kur vendimi arrin në tryezën e Sekretarit të Shtetit, pavarësisht kush është, ne jemi 100 përqind të sigurt. Dhe fakti është po ashtu që kur dikush shpallet, dhe nuk flas vetëm për Shqipërinë; shikoni edhe të tjerët që Shtetet e Bashkuara kanë shpallur në botë; në atë listë nuk është askush që njerëzit e shohin shpalljen dhe mendojnë: kjo qenka mister. Nuk është mister. Faktet janë përpara syve. Ndaj ne jemi shumë të bindur me shpalljet tona dhe duhet t’ju them që Presidenti Biden e ka bërë shumë të qartë përmes disa prej Urdhrave Ekzekutivë të tij dhe një Proklamate Presidenciale në qershor që, për Shtetet e Bashkuara, korrupsioni është një çështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Duam që partnerët dhe aleatët tanë si Shqipëria të jenë të fortë dhe të sigurt, të jenë demokraci të vërteta. Korrupsioni është pengesë për këtë. Ndaj, nëse pyetja tjetër e juaja do të jetë “A do ketë shpallje të tjera?”, të shohim, besoj se do të ketë dhe ne do të vazhdojmë të tregojmë me gisht ata që përfshihen në korrupsion, ata që minojnë demokracinë në këtë vend, të cilin e konsiderojmë mik të ngushtë. Nuk do t’ju braktisim. Kemi bërë rrugë tepër të gjatë. Shtetet e Bashkuara kanë investuar së tepërmi dhe Qeveria Amerikane kujdeset aq sa të mos ta lërë mënjanë këtë.
Diskutime rreth kësaj post